Opozita i drejtohet me letër Kolegjit Zgjedhor, ku i kërkon pezullimin e dhënies se mandatave për Këshillat Bashkiakë derisa Gjykata Kushtetuese të vendosë.
Letra e opozitës është firmosur nga numri 2 i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe dërgohet sot, para nisjes së shqyrtimit në Kolegj të çështjeve për shpërndarjen e mandateve të këshilltarëve bashkiakë.
Letra që kërkon pezullimin e shpërndarjes se mandateve nga Kolegji i shkon për informacion edhe ODIHR, ONM, BE, ambasadave kryesore në Tiranë.
“Shoqata e Bashkive ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për kushtetutshmërinë e votimeve të 30 Qershorit. Pa u shqyrtuar çështja në Gjykatën Kushtetuese, Kolegji Zgjedhor ka pengesë ligjore për të bërë shpërndarjen e mandateve të Këshillave monopartiake Bashkiake”- shkruhet në letër.
Bardhi argumenton:- “Sipas Kodit të Procedurës Civile, Kolegji Zgjedhor ka detyrimin ligjor të vendosë pezullimin e gjykimit, për shkak se “çështja nuk mund të zgjidhet para se të zgjidhet një çështje tjetër. Ligji detyron Kolegjin të mos marrë vendim pa u shprehur më parë Gjykata Kushtetuese mbi kushtetutshmërinë e Dekreteve të Presidentit. Standardet e shqyrtimit gjyqësor te mosmarrëveshjeve në rrezik nga presioni i vetingut mbi disa anëtarë të Kolegjit Zgjedhor. Vendimet e deritanishme të Kolegjit Zgjedhor, të pambështetura në ligj dhe të motivuara politikisht, sipas interesit të Qeverisë.
Regjistrimi i paligjshëm i Bindjes dhe mohimi i opozitës për komisionerët, u konstatuan të paligjshme nga ODIHR. Vetëm Gjykata Kushtetuese mund të shqyrtojë mënyrën e ushtrimit të kompetencave nga Presidenti, përfshirë dekretin e zgjedhjeve. Sa kohë janë në fuqi dekretet për zgjedhje në 13 Tetor mandatet e këshilltarëve bashkiakë nuk mund të shpërndahen.
Janë fituar në votime të padekretuara nga Presidenti. Ky është një rast që Kolegji të mos lejojë zëvendësimin e pluralizmit me partinë shtet dhe demokracia me diktaturën”, është kjo një pjesë e përmbajtjes së letrës. Në fund të saj, opozita ka një apel për Kolegjin: -“Koha t’i shërbeni interesit publik përpara interesit tuaj privat, i cili po përdoret nga Rama për të krijuar drejtësinë e tij private, duke i shkaktuar Shqipërisë një dëm afatgjate”.
Top Channel