Në përkujtimin e 45 vjetorit të ndërhyrjes së Turqisë në Qipro, presidenti Rexhep Taip Erdogan ka deklaruar se vendi i tij nuk do të hezitojë, nëse duhet, të ndërmarrë sërish të njëjtin hap si ai i vitit 1974.
“Askush nuk duhet të dyshojë se ushtria heroike turke, e cila nuk e ndan Qipron nga atdheu i saj, nëse do të jetë e nevojshme dhe nëse bëhet fjalë për jetën dhe sigurinë e turqve qipriotë, nuk do të hezitoj për të ndërmarrë hapin që ka ndërmarrë edhe 45 vite më parë”, thuhet në letrën që Erdogan i ka dërguar presidentit të Qipros Veriore.
Deklarata e presidentit turk bëhet në një kohë tensioni midis Turqisë nga njëra anë dhe Greqisë së mbështetur nga Bashkimi Evropian nga ana tjetër, për rezervat e naftës pranë Qipros.
“Ata që mendojnë se ishulli dhe pasuritë e rajonit i përkasin vetëm atyre, ashtu sikurse sot edhe në të ardhmen do të gjejnë përballë vendosmërinë e Turqisë dhe Republikës Turke të Qipros Veriore”, thekson Erdogan.
Sipas tij, për sigurimin e zgjidhjes së drejtë dhe të përhershme në ishull, Turqia do të përdorë të gjitha mundësitë, jo për tensionimin, por për vazhdimin e paqes në Mesdheun Lindor.
Top Channel