“Bigbrother” vëzhgon në burg/ Të dënuarit deklarojnë numrat dhe emrat e atyre që i telefonojnë nga qelia

21/07/2019 15:03

Telefonatat nga burgu janë të vëzhguara. Një urdhër i drejtorit të përgjithshëm të burgjeve i firmosur në maj 2019 , kërkon që të dënuarit të vetdeklarojnë paraprakisht numrat që do të telefonojnë çdo muaj, emrin e poseduesit të numrit, por edhe çfarë lidhje ka i burgosuri me personin që po zhvillohet biseda .

Diçka e tillë po ndodh për të patur një regjistër të lidhjeve familjare dhe miqësore që i dënuari mban me persona të tjerë jashtë qelisë.

Agim Ismaili pohon se e gjitha kjo nuk është shkelje e të drejtave , pasi në urdhër nuk përfshihet raportimi i numrave që një i burgosur mund të telefonojë sa i takon Avokatit të Popullit, Antikorrupsionit, mbrojtësit personal dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

“Ai nuk mund të flasë me këdo në telefon. Ka një numër të caktuar telefonatash që mund të kryejë. Ne e dimë kë do marri dhe flet qetësisht. Të njëjtën gjë do bëjmë edhe për rrethin e personave që takon. Po marrim masat edhe për sistemin e hyrjes dhe daljes elektronik, që kushdo që do hyjë në burg të regjistrohet”, tha Agim Ismaili.

Me përjashtim të grave dhe të miturve që kanë të drejtë të kryejnë 16 telefonata në muaj, të paraburgosurit dhe të dënuarve meshkuj u lejohen vetëm tetë telefonata . Limitimi i telefonatave, por edhe mbajtja e regjistrit me identitetin e personit që po telefonohet ka ndodhur për shkak të kërcënimeve apo edhe shantazhit përmes telefonit nga të burgosur të njohur.

“ Që ata të kenë sende të ndaluara dhe mund të komunikojnë edhe për të shantazhuar, gjë që ka ndodhur, kjo është shumë e rëndë, prandaj jemi shumë sensibël për të marrë çdo masë”, tha ai më tej.

Kjo masë vjen në të njëjtën kohë kur burgjet po ashpërsojnë qëndrimin dhe janë përfshirë edhe në implementinin e regjimit të ashpër 41 bis.

Për sa kohë të dënuarit nga ana tjetër shpikin rrugë të reja për të futur aparate telefoni në qeli, kontrolli i kontakteve të eksponentëve të krimit në burg mbetet një sfidë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA