Këshilltari për sigurinë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Bolton, thotë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të bëjë përpara.
Ai i bëri këto deklarata, pasi priti në një takim ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq. Përmes një postimi në Twitter, Bolton ka thënë se “është koha që të dyja palët të veprojnë menjëherë”.
“U pajtuam se dialogu me Kosovën duhet të lëvizë përpara, pasi asnjëra palë nuk fiton nga status-quoja. Koha për të vepruar të dyja palët është tani”, ka shkruar Bolton. Ndërkohë, në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, ministri i Jashtëm, Daçiq ka thënë se “administrata amerikane e kupton se problemi nuk është në Beograd, por qëndron në Kosovë, tek autoritetet e Prishtinës”.
Ai duke folur për takimet me zyrtarët e lartë amerikanë, tha se “gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe paqësore për problemin e Kosovës mbetet lart në listën e prioriteteve të politikës së jashtme të administratës së presidentin amerikan Donald Trump”.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian është ndërprerë që nga nëntori i vitit të kaluar, pasi Qeveria në Prishtinë vendosi taksën 100 për qind mbi mallrat serbe.
Tani Beogradi kërkon heqjen e taksës me qëllim që të kthehet në tryezën e bisedimeve, por Qeveria e Kosovës thotë se pa një marrëveshje kornizë që parasheh njohjen nga ana e Serbisë, nuk do ta shfuqizojë tarifën.
Top Channel