Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha gjatë një deklarate për mediet tha se ka gati një platformë për kthimin e parave të vjedhura tek shqiptarët. Sipas tij, askush nuk ka për të shpëtuar.
Që ditën e parë të qeverisjes, para çdo gjëje dhe mbi çdo gjë tjetër, ne do të ndërmarrim një operacion të gjerë, të paparë ndonjëherë, me shtrirje nga Shqipëria në vendet e tjera për hetimin, zbulimin dhe ndëshkimin e të gjithë vjedhjeve dhe grabitjeve që i janë bërë Shqipërisë. Ky operacion do të përfshijë: Krijimin e një kuadri ligjor radikal kundër krimit dhe korrupsionit qeveritar; hetimin dhe ndëshkimin e gjithë veprimtarisë kriminale të qeverisë në fushën e prokurimeve dhe licencimeve publike.
Prioriteti ynë do të jetë:Hetimi i korrupsionit të niveleve të larta; hetimi i mashtrimeve me kontratat dhe fondet publike; rikuperimi i pasurive të vjedhura përmes kontratave dhe koncesioneve publike Çdo kontratë koncesionare, çdo kontratë shtetërore do të konsiderohet si vepër e mundshme kriminale dhe do të hetohet pa asnjë përjashtim”, paralajmëroi Basha.
Ndërkohë, po gjatë konferencës për mediet, shefi i opozitës njoftoi se do të hetojë çdo pasuri të kompanive private dhe Kryeministrin.
“Çdo ent dhe kompani private, çdo person privat dhe publik, i përfshirë në hartimin dhe miratimin e këtyre kontratave, nga juristët e thjeshtë deri tek Kryeminsitri, do t’i hetohet pasuria dhe të ardhurat, pa asnjë përjashtim në Shqipëri dhe kudo që t’i ketë.
Hetimi ynë do të përqendrohet te paraja; do të ndjekë, gjurmojë dhe zbulojë origjinën e parave të përdorura; do të zbulojë destinacionin e parave të marra nga buxheti.
Ne do të hetojmë paratë dhe pasurinë e të gjithë atyre që janë përfshirë në një mënyrë apo tjetër në këto koncesione kriminale. Hetimi do të përfshijë pasurinë e të gjithë ish-zyrtarëve dhe zyrtarëve të tanishëm. Ata ish-ministra, ish-sekretarë të përgjithshëm, ish-drejtorë etj, që janë larguar, mbasi mbushën xhepat, dhe që sot po investojnë në biznese, në vila, në luks, në restorante, nuk kanë për të shpëtuar. Paratë që u janë vjedhur shqiptarëve dhe kanë përfunduar në llogari bankare në Qipro, në Singapor apo në Ishujt Kajman dhe kudo, paratë që kanë përfunduar në vila në Romë dhe në Nju Jork, do të zbulohen dhe do t’u kthehen shqiptarëve”, tha Basha.
Top Channel