Të paktën 24 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë lënduar, pas një zjarri, në dukje të qëllimshëm, në një studio të animuar në Kjoto, të Japonisë.
Mediat lokale citojnë policinë që thotë, se një person kishte hyrë në studio mëngjesin e të enjtes. I dyshuari, një 41 vjeçar, kishte hedhur naftë dhe më pas i kish vënë flakën.
Disa persona ende mungojnë në apel. I dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në spital me lëndime.
Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe tha se incidenti ishte shumë tronditës dhe i ofroi ngushëllimet e tij familjeve të prekura. Zjarri shpërtheu në një ndërtesë tre katëshe rreth orës 10.30 sipas orës lokale të së enjtes.
Sipas mediave lokale, policia kishte gjetur edhe thika në vendngjarje. Nuk është ende e qartë ndërkohë se çfarë lidhjeje mund të ketë patur personi i dyshuar si autor me kompaninë.
Njerëzit ishin bllokuar në katet më të larta, të mbushura me tym, pa mundur të shpëtonin.
Të paktën 10 prej viktimave ishin gjetur në shkallët që lidhnin katin e sipërm me çatinë. Rreth 36 vetë janë duke u trajtuar në spital, disa në gjendje kritike. Sipas zyrtarëve, rreth 70 persona ndodheshin në ndërtesë kur zjarri filloi.
Top Channel