May mban fjalimin e fundit, dënon politikat populiste dhe absolutizmin në politikën botërore

18/07/2019 05:56

Kryeministrja Theresa May kritikoi të mërkurën intolerancën dhe absolutizmin në rritje në politikën botërore, në një mesazh që shumë e shohin si të adresuar ndaj pasardhësit të saj si dhe Presidentit Donald Trump.

Kryeministrja May, e cila do të largohet nga posti brenda një jave, pas një mandati trevjeçar të dominuar nga Brexit-i, dënoi “politikën ndarëse” dhe tha: “disa po humbasin aftësinë për të mos u pajtuar pa dëmtuar pikëpamjet e të tjerëve”.

Zonja May njoftoi dorëheqjen e saj muajin e kaluar pasi Parlamenti hodhi poshtë marrëveshjen e saj të ndarjes me Bashkimin Evropian, e cila kishte për qëllim të siguronte një largim të rregullt të Britanisë nga blloku. Plani u hodh poshtë pjesërisht nga anëtarët pro-Brexit-it të Partisë Konservatore të zonjës May, të cilët dënuan kompromiset me BE-në.

Në fjalimin e saj të fundit si udhëheqëse e vendit, zonja May dënoi politikën populiste të ‘fituesve dhe humbësve, të cilët e shohin kompromisin dhe bashkëpunimin përmes institucioneve ndërkombëtare si shenja të dobësisë, e jo të forcës’.

Ajo mbrojti bashkëpunimin ndërkombëtar dhe theksoi nevojën për të ruajtur marrëveshjen e klimës së Parisit dhe marrëveshjen ndërkombëtare bërthamore me Iranin, të cilat Presidenti Trump i ka hedhur poshtë.

Zonja May ka pasur një marrëdhënie nganjëherë të tensionuar me presidentin amerikan, i cili e ka quajtur qasjen e saj ndaj Brexit-it “naive” dhe ka thënë se ajo duhet të kishte dëgjuar këshillat e tij për të paditur BE-në. Javën e kaluar, ambasadori britanik në Uashington dha dorëheqjen pasi presidenti Trump u përgjigj me zemërim ndaj kabllogrameve diplomatike të bëra publike ku ai e përshkruante Shtëpinë e Bardhë si “kaotike ” dhe ”jofunksionale”. /VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA