Rreth një gjysmë viti pas burgosjes së bosit të drogës Joaquín “El Chapo” Guzmán, gjyqtari shpalli masën e dënimit. Meksikani duhet të qëndrojë në burg të përjetshëm – në rast se nuk arratiset sërish.

Dënimi zyrtar përfshin burgim të përjetshëm plus 30 vjet. I dënuari nuk mund të bëjë kërkesë për lirim të parakohshëm, tha gjyqtari Brian Cogan. Përveç kësaj gjyqi i kërkoi Guzmánit të paguajë një shumë prej rreth 12.6 miliardë dollarësh (rreth 11.2 miliardë euro). Kjo është një “përllogaritje konservatore” e shumës, që ai ka marrë nga biznesi kriminal me drogën, pati komunikuar më parë prokuroria. Ligji federal që lejon dënimin me vdekje u përjashtua paraprakisht, pas një marrëveshjeje mes SHBA-së dhe Meksikës, prej nga u ekstradua Guzmán pas arrestimit të tij.

Refuzohet një gjykim i ri

Para shpalljes së dënimit Guzmánit iu dha mundësia të thotë fjalën e tij. Ai tha, se atij i është mohuar një proces korrekt. Mbrojtësit e Guzmánit deri në fund u përpoqën pa sukses, që ta rinisnin procesin. Sfondi ka të bëjë me një informacion mediatik, si past të cilit anëtarët e jurisë së të betuarve gjatë procesit kishin ndjekur raportimin për të. Si rrjedhojë ata kanë pasur dijeni për hamendësimet paragjykuese, të cilat nuk mund të përdoren në proces. Megjithatë një gjyqtar e refuzoi kërkesën e mbrojtjes për një proces të ri. Sipas tij, sasia e provave kundër bosit të drogës ishte gjithsesi shokuese.

Guzmáni, që për shkak të gjatësisë së trupit 1.64 metra i ishte vënë nofka “El Chapo” (i shkurtëri), në shkurt në procesin më të madh të kryer ndonjëherë në historinë e kriminalitetit të drogës në SHBA u gjet fajtor në të dhjetë pikat e akuzës – ndër të tjera edhe për pjesëmarrje në një organizatë kriminale, në prodhimin dhe shpërndarjen ndërkombëtare të drogave kokainë, heroinë, metamfetaminë dhe marihuana si dhe për larje parash e përdorim armësh zjarri.

Meksikani konsideorhet si baroni më i fuqishëm i drogës pas kolumbianit Pablo Escobar. Ai ka qenë për vite me radhë shef i kartelit famëkeq Sinaloa. Kontrabandë drogë në masë, tregti me armë dhe larje parash kanë qenë bizneset kryesore të 62 vjeçarit, i cili sipas dëshmitarëve ndër të tjera rekrutonte vrasës me porosi e në vrasje e tortura ka qenë edhe vet aktiv.

“El Chapo” vlerësohet prej shumë meksikanëve – një e supozuar si vajza e tij shet me emrin e tij një linjë mode.

54 dëshmitarë dëshmuan në procesin voluminoz, ndër ta ish-partnerë e bashkëpunëtorë si dhe një ish e dashura e tij. Shumica ndodhen po ashtu në burgjet e SHBA-së. Sipas dëshmive Guzmán ka urdhëruar rrëmbime e vrasje të konkurrentëve ose policëve, që nuk pranon ryshfet. Baroni i drogës ka rreth njëqind bodyguardë, që janë të pajisur me pistoleta, armë automatike, granata e madje edhe hedhës predhash.

Sipas një dëshmitari krahas shumë të tjerëve ai i ka paguar ryshfet milionësh edhe ish-presidentit meksikan Enrique Peña Nieto. Ish-drejtuesi i kabinetit të Peña Nieto i hodhi poshtë këto akuza.

Guzmán ndodhet ndërkohë në një burg të sigurisë së lartë në Nju Jork në zonën Manhattan. Më parë ai ia ka dalë të arratiset dy herë nga burgjet meksikane: Më 2001 ai u arratis duke u futur në një kazan rrobash dhe më 2015 përmes një tuneli, që kishin hapur bashkëpunëtorët e tij deri në qelinë e tij.

Një shans të tillë ai me gjasë nuk do ta ketë në SHBA. Me shumë gjasë Guzmán do të dërgohet në një burg të sigurisë ekstreme në zonën e Rocky Mountains. Burgu “ADX Florence” në shtetin federal të Colorados për shkak të kushteve të rrepta të burgimit prej disave konsiderohet si ferri në tokë. Burgu i ndërtua më 1994, sipas Amnesty International (AI) është i specializuar për izolimin ekstrem të të burgosurve.

Kontakt me të burgosurit e tjerë, sipas AI, ata kanë vetëm dy orë në ditë gjatë kohës së “çlodhjes”, kur të burgosurit mund të bëjnë stërvitje të trupit. Ata që konsiderohen si tepër të rrezikshëm edhe gjatë këtyre ushtrimeve fizike janë të izoluar në kafazë individualë, jo më të mëdhenj se 7.50 metra katrorë.

Për kushtet e deritanishme të dënimit në një burg të Nju Jorkut Joaquín “El Chapo” Guzmán është ankuar në mënyrë të përsëritur. Ai ia doli vetëm që t’i japin një batanie më të trashë, por nuk ia plotësuan kërkesën për tamponët e veshëve për qetësi. Në pozicionimin e tij para shpalljes së vendimit bosi i drogës e cilësoi izolimin e tij në SHBA si një “torturë psikologjike, emocionale dhe mendore”./DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA