Kryeministri Edi Rama pas përfundimit të takimit me drejtuesit socialistë tha se është i gatshëm për diskutim në lidhje me zgjidhjen e krizës politike, por pa vënë në diskutim mandatet.
“Jemi të gatshëm për diskutim, por jo për mandatin tonë”, tha Rama.
Ndër të tjera, Rama deklaroi se u bë një diskutim me pjesëmarrjen e të gjithë socialistëve për të vijuar procesin e brendshëm.
“Kemi pasur një diskutim të gjatë me pjesëmarrjen e të gjithëve për të vijuar procesin e brendshëm, sepse kemi mësuar që pas çdo procesi zgjedhor pavarësisht fitores është shumë e rëndësishme të kuptojmë se ku janë problemet që duhen trajtuar dhe të përpiqemi së bashku të lexojmë votën, të lexojmë pritshmërinë, të lexojmë atë që është baza e formësimit të një qasjeje strategjike elektorati.
Diskutimi është lidhur me ndërtimin e strategjisë afatmesme dhe afatshkurtër, afatgjatë zgjedhjet e qershorit të 2021, si afatshkurtër gjithë procesin e brendshëm të zgjedhjeve në PS, kombinuar me gjithë procesin e planifikimit dhe administrimit të gjithë këtyre territoreve, që tani i janë besuar drejtuesve socialistë në bashkitë e vendit”, tha shefi i socialistëve.
Rama: Për mua 13 tetori është si gjithë datat e tjera
Ndërkohë, shefi i qeverisë tha se është i angazhuar për të filluar mbarë procesin e qeverisjes vendore, ku Partia Socialiste ka ngritur tre këshilla drejtues. Kreu i qeverisë tha se nuk e njeh 13 tetorin si datë zgjedhjes, datë e cila është caktuar nga presidenti Meta.
“Përpiqemi që të lexojmë votën dhe pritshmërinë. Pas zgjedhjeve me rëndësi është që të kuptojmë problemet. Tashmë bashkitë i janë besuar drejtuesve socialistë. Zgjedhjet janë bërë me 30 qershor. Jemi shumë të angazhuar për të filluar mbarë procesin e qeverisjes vendor edhe kemi ngritur 3 këshilla drejtues nga unë, kreu i kuvendit dhe sekretari i përgjithshëm. Ky është fokusi jonë. E kemi sfidën me problemet e njerëzve dhe të vendit, jo me problemet e brendshme të opozitës jashtëparlamentare apo të presidencës. Për mua 13 tetori është si gjithë datat e tjera”, tha Rama.
Top Channel