Disa të rinj shqiptarë, të moshave nga 14-18 vjeç, morën çmimin e dytë në Olimpiadën e Robotikës në Meksikë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i priti në një takim të rinjtë fitues, ku i uroi për suksesin dhe shprehu gatishmërinë për tu dhënë mbështetje.
“Jam shumë krenar për çunat e gocat tanë, si grupi që do të vazhdojë të konkurrojë në Olimpiadën Botërore të Robotikës. Do të thotë që vendi nuk ka nevojë të jetë super i zhvilluar, kur ka djem e vajza me talent, me kreativitet, që kanë një mentor, por edhe sponsor që mund t’i ndihmojnë në hapat e tyre të para, mund të zënë vendet e para, të dyta, të treta; pra, mund të jenë liderë në grupmoshën e tyre, kur vjen puna për teknologji, robotikë, mekatronikë apo gjithë ajo industri që ne e quajmë ‘maker-space’, pra të bësh diçka me dijen dhe duart e tua”, tha Veliaj.
Ndërkaq, rajoni i Ballkanit pritet të ketë edhe qendrën më të madhe të teknologjisë së informacionit që do të jetë në piramidë.
“Mezi pres që së bashku të punojmë si partnerë në Piramidën e Tiranës dhe në gjithë hapësirat fantastike që duam të krijojmë për mijëra djem e vajza, ku të kenë mundësi të marrin kurse, të kenë një mentor që mund t’i aftësojë për dijet teknologjike dhe mbi të gjitha, për të pasur edhe vizitorë specialë si roboti Peper, i cili jo vetëm të vizitojë Tiranën, por të kemi mundësi të prodhojmë prototipe të Peperit edhe në Tiranë, në mënyrë që të sigurohemi se qyteti ynë të jetë qyteti më i përparuar në Ballkan për teknologjinë e informacionit”, ka shtuar Veliaj.
“Team Albania” e të rinjve që mori pjesë në Garën Oplimpike në Meksikë, u vlerësua me çmimin, “Katherine Johnson”, për dokumentimin inxhinierik. Kjo skuadër e të rinjve, pritet të ngrejë për herë të tretë flamurin shqiptar në Dubai, ku do të mbahen garat e këtij viti në datat 24-27 Tetor 2019.
Top Channel