I ftuar në studion e Top Talk, kreu i PDK, Nard Ndoka, foli edhe për ftesën e Presidentit Meta për tre palë zgjedhje më 13 tetor, ato parlamentare, lokale dhe presidenciale. Por për këto të fundit nevojiten ndryshime Kushtetuese që Presidenti të zgjidhet nga populli.
I pyetur nga Denis Dyrnjaja, nëse është opozita ajo që po kërkon ndryshimin e Kushtetutës, apo është një iniciativë e Presidentit që mbështet nga opozita, Nard Ndoka u përgjigj se nuk është kjo agjenda e Presidentit, por kjo është logjika politike.
Por a ka ardhur koha për të pasur një Republikë Presidenciale? Duke u shprehur se nuk e gjykon këtë veprim të Metës, Nard Ndoka thotë se ato janë “kartat që Presidenti ka hedhur në tavolinë të palëve, nëse ata e shohin si një domosdoshmëri për ta bërë një gjë të tillë”.
Më tej Nard Ndoka thekson se në këto momente të krizës politike duhet shmangur që arenës politike t’i shtohet edhe një element tjetër.
“Duhet shmangur zgjedhja e Presidentit nga populli, që të jetë një diskutim për të ardhmen. Pse jo, nëse do të ketë ndryshime Kushtetuese, nëse do të kemi dy dhoma të parlamentit, mund të kemi edhe ndryshim të zgjedhjes së presidentit”, tha Nard Ndoka.
Top Channel