Lideri i opozitës, Lulzim Basha, i shprehu mirënjohjen strukturave të PD në Vaun e Dejës për atë që ai e quan, qendresën dinjitoze ndaj sulmit të strukturuar kriminal të qeverisë ndaj Bashkisë së Vaut të Dejës, kryetarit të saj dhe interesit të qytetarëve të kësaj bashkie.
“Kanë dështuar me turp që në 2015-ën dhe e trefishuan turpin më 30 Qershor, kur u braktisën edhe nga socialistët, të cilët i çuan një mesazh të qartë Edi Ramës dhe Tom Doshit se ata preferojnë më mirë të rrinë në shtëpitë e tyre, sesa t’u dalin kundër vëllezërve dhe motrave demokratë në luftën dhe kauzën e drejtë për çlirimin e të gjithë shqiptarëve nga e krimi, varfëria dhe hajdutëria.”
Basha dënoi përpjekjet kriminale të pushtetit për të inkriminuar kryebashkiakun Zef Hila, të cilin e cilësoi si një nga kryetarët më të suksesshëm të pushtetit vendor që ka pasur Partia Demokratike në 30 vite. Basha tha se duke i shërbyer interesit të qytetarëve të bashkisë së Vaut të Dejës, Zef Hila është një shembull për drejtuesit vendorë.
“Zef Hila është investimi juaj dhe investim i Partisë Demokratike dhe jo i krimit të organizuar, as i një kupole hajnash të korruptuar, siç janë ata që sot sundojnë në Partinë Socialiste. Si kryetar i Partisë Demokratike, unë jam i vendosur të bëj gjithçka në pushtetin tim, për ta mbrojtur këtë investim të shkëlqyer”- u shpreh Basha.
Duke theksuar se 30 Qershori është ngjarja më e paligjshme në 30 vjet pluralizëm, kreu i opozitës u ndal në 3 arsyet madhore pse 85 % shqiptarëve e braktisën regjimin kriminal dhe të korruptuar të Ramës në 30 Qershor.
Lideri i opozitës shpjegoi se kjo gjendje e rëndë ekonomike është rezultat i drejtpërdrejtë i politikës së vetme ekonomike të ndjekur nga Edi Rama, grabitje e pasurisë dhe parave publike për llogari të pak personave. “Bregdeti, minierat, nafta, bujqësia, bimët medicinale, gjithçka është monopolizuar për t’ua dhënë në dorë 5 oligarkëve dhe 5 kriminelëve, me të cilët është ortak dhe për të cilët qeveris Edi Rama. Sepse, siç e treguan edhe përgjimet e Bild-it, me ata ai mori pushtetin, ndaj për ta dhe me ta po qeveris.”- u shpreh kreu i opozitës në takimin e Vaut të Dejës.
Lulzim Basha argumentoi se refuzimi masiv i 30 Qershorit nuk do të kishte përmasa të tilla të paprecedenta pa betejën, vendimet e drejta dhe qëndresën e PD e të opozitës, e cila, vrau frikën e shqiptarëve dhe e ekspozoi në çdo dimension regjimin kriminal dhe të korruptuar të Edi Ramës.
Top Channel