Kryedemokrati Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me strukturat e PD-së në Berat nga ku ka përfituar të falënderojë qytetarët që nuk morën pjesë në votimet e 30 qershorit.

Ai tha se refuzimi i regjimit të Edi Ramës është një përgjegjësi e madhe për të dhe PD-në duke folur për projekt ndryshimi e transformimi.

“Sot jam në Berat me demokratët e Beratit për t’i falënderuar me shumë mirënjohje jo vetëm strukturat tona të PD-së për betejën e jashtëzakonshme që kanë bërë kundër krimit, kundër korrupsionit po në veçanti që së bashku me qytetarinë beratase ia kanë dalë të vrasin frikën, të ringrenë kurajën qytetare dhe të vetëdijësojnë të gjithë qytetarët e Beratit pavarësisht bindjeve politike për nevojën akute për ndryshim. Dhe kjo u duk më së miri dy javë më parë ku qytetarët e Beratit në masë, të cilëve iu shpreh mirënjohjen nga zemra për qytetarinë e treguar me aktin e tyre, refuzuan regjimin e Edi Ramës, e refuzuan demokratët, mbështetësit tanë dhe socialistët e ndershëm.

Pjesëmarrja në Berat ishte nën mesataren kombëtare që do të thotë se edhe në Berat socialistët janë vetëdijësuar se rruga e çlirimit të partisë së tyre nga tutela e krimit kalon nga qëndrimi krahë për krah me qytetarët e tjerë të Beratit, në betejën tonë për vlera, për vlera, liri e mundësi për çdo qytetar. Unë dhe PD e konsiderojmë këtë refuzim të regjimit të Edi Ramës si një përgjegjësi të madhe për t’i dhënë qytetarëve të Beratit rrugën e ndryshimit, rrugën e transformimit ekonomik që do të mundësojë liri ekonomike, konkurrencë ekonomike që do të mundësojë që t’i jepet fund varfërisë ekstreme”, deklaroi kreu i PD.

Ai tha se 31% e familjeve shqiptare nuk mbyllin dot muajin dhe se mjerimi ekonomik, papunësia atj janë veprat e një qeverie që ka ardhur me ndihmën e oligarkëve e kriminelëve.

“Nga 25%, nga 1 në 4 familje, është rritur edhe me 6%. Mjerimi ekonomik i shqiptarëve, varfëria, papunësia janë veprat e vërteta të një qeverie që nuk ka ardhur me votën e qytetarëve por ka ardhur me ndihmën e kriminelëve e të oligarkëve. Ndaj nuk qeveris për qytetarët por për kriminelët dhe oligarkët. Kanë shkatërruar çdo interes publik, kanë shkatërruar infrastrukturën, shëndetësinë, arsimin. Nuk ka gjë më të trishtë e kriminale se të shohësh dritat e fikura të universitetit të Beratit. Dritat e universitetit do të ndizen në Berat dhe anembanë Shqipërisë. Dritat e arsimit do të ndizen anembanë Shqipërisë”, u shpreh kreu i PD.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA