I ftuar në emisionin Top Talk, ish-presidenti Bujar Nishani tha se Ilir Meta ka qenë i detyruar që të caktojë një datë të re zgjedhjesh, që është 13 tetori.

Sipas tij, nëse anulimi i zgjedhjeve më 30 qershor do të trajtohej politikisht, do të kishte një zbutje të krizës, por jo zgjidhje të saj.

“Nëse akti i Presidentit për anulimin e zgjedhjeve. do merrej parasysh dhe do trajtohej politikisht dhe institucionalisht, do të kishte një zbutje të situatë, jo zgjidhje por zbutje. Fakti që akti i Presidentit u zhbë, e ka agravuar edhe më tej situatën, e cila për fat të keq do jetë edhe më e vështirë në javët dhe muajt në vijim.

Në Shqipëri gjatë shumë viteve janë krijuar precedentë të rrezikshëm në politikë. Presidenti Meta ka qenë i detyruar që të shpallë një datë dhe për këtë ka dhënë argumentet e tija. Për sa kohë anuloi datën e parë, duhet të shpallte një datë tjetër dhe nga pikëpamja juridike ai ka përmbushur një detyrim të tij ligjor”, tha ish-presidenti Nishani.

Bujar Nishani që aktualisht mban postin e Kreut të Këshillit Kombëtar në Partinë Demokratike, u pyet nëse më 13 tetor, Lulzim Basha do të marrë apo jo pjesë në zgjedhje dhe nëse PS refuzon, cili do të jetë reagimi i opozitës. Nishani tha se nuk bëhet fjalë për të konsumuar një datë zgjedhjesh, por për të zhbërë një rrjet kompleksiteti kulturash, sjelljesh dhe mekanizmash, abuzive.

“Ajo që kam kuptuar deri më tani, është akti shumë herë më i gjerë dhe përtej një date të caktuar. Këtu nuk bëhet fjalë për të konsumuar një datë, një akt formal elektoral. Opozita ka qëllim zhbërjen e një rrjeti të një kompleksiteti kulturash, sjelljesh, mekanizmash, abuziv, jo vetëm në kontekstin politik të pushtetit por edhe të përfshirë me aktivitetin e grupeve kriminale. Sot kemi një shtet në kolaps, kemi një sistem i cili edhe me 30 qershorin, konfirmoi se Shqipëria nuk i ka ikur mentalitetit dhe kulturës së monizmit. Një pjesë e politikës është e gatshme që ta pranojë monizmin si mekanizëm dhe kulturë dhe të punojë në interes të një pushtit të një segmenti politik, duke shkelur çdo kod ligjor, duke i inkriminuar në segmente të rëndësishme të politikës . nuk bëhet fjalë për të pasur një datë tjetër, për të qenë formale, por për të zgjidhur këtë ngërç institucional, social dhe ligjor që është në Shqipëri”, tha Nishani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA