Demokratët kanë nisur serinë e kallzimeve ndaj zyrtarëve dhe komisionerëve socialist për krime elektorale dhe falsifikim të rezultatit të zgjedhjeve.
PD e Kukësit njoftoi se ka paditur në Prokurori komisionerët e 14 qendrave të votimit të kësaj Bashkie, të cilët sipas saj kanë manipuluar pjesëmarrjen.
Ndër faktet e përmendura në padi nënvizohet fenomeni më shumë fletë votimi sesa votues, duke pretenduar se në 30 qershor kanë votuar edhe persona të cilët nuk ndodheshin në Shqipëri.
Për këtë arsye PD e Kukësit i kërkoi organit të akuzës që të sekuestrojë në cilësinë e provave, listën e votimit dhe personave të cilet kanë votuar në të gjitha qendrat e votimit, me qëllim krahasimin me të dhënat e sistemit TIMS.
Demokratët nuk i njohin zgjedhjet vendore e për këtë arsye as mandatet e dala prej tyre. Nga selia blu, ata i kërkuan gjyqtarëve të bëjnë juridikisht nul procesin e 30 qershorit.
“ Sipas ligjeve të vendit, që një Kryebashkiak të marrë detyrën, mandati i tij duhet të vërtetohet nga gjykata, nëse është marrë në përputhje me Kushtetutën. Gjyqtarët, ku kandidatët e votimeve të shfuqizuara me dekretin e Presidentit, do të paraqiten për të marrë mandatin e paligjshëm, kanë dy mënyra për të mbrojtur shtetin e së drejtës nga sundimi mafioz i një personi të vetëm. 1. Të mos japin mandatet, duke vërtetuar pavlefshmërinë e 30 Qershorit. 2. Të pezullojnë gjykimin, për shkak se çështja nuk mund të zgjidhet para se Gjykata Kushtetuese të vendosë për dekretet e Presidentit të Republikës”, u shpreh Gazment Bardhi.
Se këtë verë nuk do kishin pushime, por vetëm punë, demokratëve ua ka bërë të qartë vetë kryetari i partisë.
Në telefonat e anëtarëve të kryesisë dhe ish-grupit parlamentar mbërriti në mesditë njoftimi se të premten i pret mbledhja e radhës për të vendosur mbi vijimin e aksionit opozitar.
Top Channel