Vendet e Ballkanit Perëndimor morën mbështetjen e liderve të vendeve kyçe të BE drejt rrugës europiane, gjatë Samitit të Poznanit në Poloni. Konkluzionet e Samitit u permblodhën në një dokument prej 12 faqesh dhe prekin 5 fusha si ekonomia, lidhshmëria, siguria, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, pajtimi dhe çështjet e pazgjidhura dypalëshe. Theksi u vendos tek reformat e përbashkëta për të forcuar lidhjet mes vendeve, nëpërmjet ekonomisë dixhitale, diversifikimit të tregut të rajonit dhe përfshirja e të rinjëve në skemat e biznesit.

Deri më tani, në Ballkanin Perëndimor janë miratuar 39 projekte të mëdha infrastrukturore, ndërkaq u konfirmuan edhe 8 projekte të reja. Po ashtu lidhja me një linjë hekurudhore për transportin e njerezve dhe mallrave mbetet pikë kyçe.

Gjatë Samitit të Poznanit, liderët e Ballkanit Perëndimor, rikonfirmuan vullnetin për luftën ndaj korrupsionit, prioritet kryesor i Procesit të Berlinit.

Polonia insistoi që në deklaratën e Samitit të Poznanit Bashkimi Europian të dalë me një datë për integrimin e Ballkanit në union.
Mikpritësi i liderve të vendeve të rëndësishme të BE-së dhe shteteve të rajonit, Presidenti Andrzej Duda tha se Varshava nuk do të pranojë që shtetet e Ballkanit të jenë në një vrapim, pa një finish në horizont.

“Pa integrimin e plotë të Ballkanit, së bashku me traditat e tyre të bukura dhe kulturën e larmirshme, Europa nuk do të jetë në gjendje kurrë të marrë frymë thellë. Polonia është një vend që mbështet politikën e zgjerimit të Bashkimit Europian, sepse mbështet Europën e hapjes dhe solidaritetit, jo Europën e paragjykimeve të ndërsjellta, e të mbylljes nga interesa dhe frika të veçanta. Nuk është kjo Europa që duam.

Si pjesë e komunitetit europian, ne jemi të detyruar të caktojmë një datë të qartë për integrimin. Polonia nuk do të pranojë që vendet e rajonit të përfshihen në një vrapim, pa një vijë finishi në horizont. Inkurajoj këtë mesazh që të jetë një deklaratë e qartë e këtij Samiti të Poznanit”, tha Duda.

Në ditën e fundit të samitit të Poznanit, në Poloni, liderët e vendeve të Ballkanit u takuan me homologët e tyre nga vendet e BE, pjesë e nismës së njohur si procesi i Berlinit.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha se Bashkimi Evropian synon të mbështesë partnerët në Ballkanin Perëndimor në te ardhmen e tyre evropiane dhe të lehtësojë përparimin e tyre drejt integrimeve, sepse kjo është përgjegjësi strategjike e bllokut. Të hënën presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se “do të refuzoj çfarëdo zgjerimi para se të kryhen reforma të thella në funksionimin institucional të Bashkimit Evropian”.

Merkel tha se pajtohet me Makron se mekanizmat e BE-së duhet të përmirësohen, por këtë ajo nuk e shikon si braktisje të negociatave për zgjerim”.

Nga ana e tyre Rama dhe Zaev kërkuan mbështetje për hapjen e negociatave në muajin tetor kur edhe pritet që të merret vendimi i liderve të BE-së për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ndërkohë samiti i radhës në këtë format, do të organizohet në 2020-ën nga Bullgaria si vend anëtar i unionit, dhe Maqedonia e Veriut, si një nga vendet e Ballkanit që aspiron anëtarësimin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA