Dështimi i reformës sipas Metës: Fajin e ka Rama dhe “kori i strukturuar” ndërkombëtar

05/07/2019 15:04

Presidenti Ilir Meta vijoi kritikat për reformën në drejtësi duke e quajtur atë të dështuar. Presidenti, faturën e dështimit ia atribuon ndërkombëtare.

“Do kënaqeni kur t’ju tregoj se pse sot pas tre vitesh nuk keni asnjë anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Askush më mirë se unë nuk ua tregon dot, jo se jam ndonjë tregimtar i madh, por për shkak të detyrave të larta edhe si ish-Kryetar i Kuvendit e si President i Republikës. Të jeni të sigurt se fajin nuk e ka Reforma e bërë me 140 vota në Kuvend tre vjet më parë, por transformimi i saj në Ramaformë bashkë me një kor të strukturuar ndërkombëtar që nuk do të pranojë bashkëfajësinë për këtë dështim që po e vuajnë qytetarët, ekonomia dhe biznesi”, shkruan Meta.

Ironia e presidentit i drejtohet edhe komisionit të venecias bashkë me sekretarin e përgjithshëm të kryeministrisë Engjëll Agaci.

“Shpresoj që këto “arritje” të Ramaformës të mos i mësojnë Profesorët e nderuar të Komisionit të Venecias, të paktën gjatë verës, se më e pakta do kalojnë në gjendje të fikti, përveçse s’do e kuptojnë kurrë pse duhet të punonin e studionin për mëse një vit me intensitet aq të lartë e të vinin e të iknin shumë herë kur këtë Ramaformë mund ta kishte mbyllur z.Agaci për një javë dhe disa miq të inamoruar pas reformës të brohorisnin “È buono per l’Albania””, thotë ai më tej.

Presidenti e mbyll komentin me një përgjigje për akuzat e mazhorancës në adresë të tij.

“E di që disa do thonë se kam frikë nga Reforma në Drejtësi e sidomos nga SPAK-u. Pa merak për të gjithë sepse sapo kalova edhe Spaçin. Kalofshi bukur sot të gjithë”, shkruan Meta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA