Më shumë vota se votues. Një çudi e tillë nuk ndodhte prej 30 vjetesh në Shqipëri, por në rezultatet paraprake te publikuara nga KQZ për zgjedhjet vendore pa opozitën, në disa bashki ndodh që të jenë numëruar më shumë vota nga sa është shifra e zgjedhësve që janë paraqitur për të votuar. Fatos Tushe në Lushnje mori mandatin e tretë me 28,086 vota ndërkohë qe kane votuar 27 243 persona. Ato që deri tani KQZ i cilëson veç lapsuse janë denoncuar nga opozita për disa bashki te vendit, si Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Bulqizë, Vorë, Lushnje, Divjakë, Ura Vajgurore, Memaliaj, Selenicë, Himarë.
E intervistuar në një lidhje të drejtëpërdrejtë në Top Channel, kryetarja e bashkise së Urës Vajgurore, e cila fitoi mandatin e dytë në këto zgjedhje nga vota e 5900 zgjedhësve, por duke marrë rreth 2 mijë vota më shumë e pranon diferencën e gabuar por thotë se është një mospërputhje të dhënash dhe fryrje mediatike.
E ndërsa shifrat janë në tabelat e KQZ, zëdhënësja sqaroi këtë mëngjes si gafa të sistemit që duhet përmirësuar.
Rezultatet paraprake që nuk përputhen me numrin e votuesve janë për 10 bashki të vendit dhe përveçse po i shërbejnë opozitës në betejën kundër 30 qershorit u kujtojnë shqiptarëve kohën kur kandidatët e vetëm në garë merrnin më shumë se 100% të votave.
Për debatin e shifrave reagoi edhe kryetari i KQZ, Klement Zguri, i cili kërkoi një hetim administrativ.
Top Channel