Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj është paraqitur në qendrën e votimit për të votuar rreth orës 09:30 në QV e instaluar pranë shkollës “Fan Noli”, Tiranë.
Gjatë një dalje për mediet, Lleshaj tha se zgjedhjet po zhvillohen të lira dhe të qeta dhe se sipas tij është një ditë e rëndësishme për shqiptarët pas një periudhe të ndërlikuar përgatitjesh.
“Është një ditë e rëndësishme për shqiptarët. Pas një periudhe të ndërlikuar përgatitje, sot mund të themi se zgjedhjet po zhvillohen të lira dhe të qeta dhe në një atmosferë shumë të mirë. I bëj ftesë të gjithë qytetarëve që të ushtrojnë përgjegjësinë e tyre qytetare, aq më tepër që jemi në vigjilje të vendimit të madh për Shqipërinë për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE! Ky është një proces i rëndësishëm në kontribut të dëshmimit se Shqipëria është një vend që meriton hapjen e negociatave, i cili mund të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të drejta. Ftoj të gjithë qytetarët që përveç pjesëmarrjes të mundohen për të mbajtur mjediset e qeta dhe të sigurta në mënyrë që gjithkush të ushtrojë të drejtën në këtë ditë të rëndësishme. Forcat e policisë kanë marrë masa për të garantuar siguri për të vazhduar këtë proces”, tha ministri i Brendshëm.
Top Channel