Francë/ Aktiviteti sportiv kombinohet me shijimin e një filmi!

28/06/2019 17:00

Në “Autun” të Francës, aktivitetet sportive dhe kultura miqësore për mjedisin, kombinohen me shijimin e një filmi, e kjo falë kinemave të hapura.

Mjafton një pëlhurë e bardhë e shtrirë mes pemëve, dhe projeksioni merr jetë, ndërsa njerëzit pedalojnë biçikletat e fitnesit, duke shijuar një mbrëmje ndryshe të gjithë bashkë falë projektit “Cinecyclo”, që ofron edhe argëtim, edhe aktivitet fizik, të gjitha këto për një qëllim fisnik.

“Spektatorët i kemi ftuar ne dhe u kemi vënë në dispozicion biçikletat e pajisura me një gjenerator të vogël, lëvizja e tyre çliron energjinë që i dërgohet video-projektorit dhe bokserave të zërit, në të dy anët e ekranit”, është shprehur Clea Rufener, drejtuese e projektit “Cinecyclo”.

“Ne gjithmonë përpiqemi të arrijmë vlerat tona, të rrisim ndërgjegjësimin mbi çështje mjedisore dhe ekologjike, dhe sistemi ynë lejon transmetimin e filmave pa përdorur energjinë elektrike. Është edhe një mënyrë për të thënë se ka nisma që mund të ndërmerren me shumë pak mundim dhe kosto të ulët, por të ndihmojnë ndërkohë tranzicionin ekologjik”, ka shtuar ajo.

Spektatorët pedalojnë me radhë dhe e pranojnë se edhe fare pa lodhje, kjo punë nuk bëhet. Projekti pretendohet se kontribuon për lehtësimin e qasjes ndaj kinemave edhe në zona të izoluara, dhe ideja se ai mund të zgjidhë edhe probleme mjedisore apo të ndihmojë në luftën kundër varfërisë, e ka kthyer nga një aventurë personale, në një projekt social.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA