Kredia për ekonominë u rrit me 9.5 miliardë lekë ose rreth 80 milionë euro në terma vjetorë ose duke u rikthyer për herë të parë pas shumë vitesh në territor pozitiv.
Të dhënat zyrtare nga banka e Shqipërisë tregojnë se në maj, stoku i kredisë që bankat kanë dhënë për biznesin dhe individët arriti në rreth 549 miliardë lekë nga 539.5 miliardë që ishte në maj të vitit të kaluar.
Të dhënat e detajuara nga banka qendrore tregojnë se kredia është rritur si për biznesin ashtu edhe për individët. Sipas statistikave, kredia për sipërmarrjet private u rrit me 8 miliardë lekë, ndërsa ajo për individët u zgjerua me gati 11 miliardë lekë, krahasuar me majin e vitit të kaluar.
I vetmi tregues me rënie është kredia që bankat kanë dhënë për shoqëritë shtetërore. Huaja për kompanitë publike është tkurrur me 10 miliardë lekë krahasuar me vjet, dhe shkaku kryesor është shlyerja e borxheve që korporata eleketro-energjetike shqiptare ka marrë në bankat vendase, duke i zëvendësuar ato me një kredi nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Që pas vitit 2012, mungesa e kredive ka qenë një nga faktorët më frenues për rritjen ekonomike, teksa bizneset janë shfaqur hezituese për të investuar në projekte të reja, ndërsa bankat dorështrënguara për të dhënë para borxh të trembura edhe nga rritja e kredive të këqija. Por tendenca në gjysmën e parë të këtij viti sinjalizon se kredia për ekonominë mund të ketë dalë nga cikli shumëvjeçar negativ, çka mund të jetë një ndihmë shtesë për ekonominë.
Top Channel