Një foto shpalos në të gjithë fuqinë e saj realitetin shokues të krizës së emigrantëve në kufirin Jugor të Amerikës.
Në foto shihet Oskar Alberto Martinez Ramirez dhe vajza e tij 23 muajshe Valeria, të shtrirë përmbys në ujërat e “Rio Grandes”.
Krahu i foshnjës është nën bluzën e të atit ç’ka jep përshtypjen se ajo është mbajtur fort pas tij në momentet e fundit.
Fotoja është bërë nga gazetaria Julia Le Dyc, dhe është botuar nga gazetat meksikane. Sipas gazetares, Martinez Ramirez, nga “El Salvadori”, ishte i shqetësuar sepse familja e tij nuk kish mundur të paraqiste kërkesën për azil pranë autoriteteve amerikane, ndaj kishte tentuar të kalonte me not lumin, të dielën, në përpjekje për të arritur Teksasin.
Imazhi krahasohet me foton e djaloshit sirian, Alan Kurdi, që u mbyt në ishullin grek të Kosit, në 2015. Fotoja e tij shokoi botën dhe u përdor për të nxjerrë në pah krizën e emigrantëve sirianë.
Administrata Trump ka marrë masa kundër emigracionit dhe ka reduktuar në mënyrë drastike numrin e emigrantëve që lejohen të kërkojnë azil në vend. Po ashtu është zgjatur në afat edhe një program sipas të cilit azil kërkuesit detyrohen të presin në Meksikë ndërkohë që kërkesat e tyre shqyrtohen, proces ky që mund të kërkojë vite.
Top Channel