Numri i vizitorëve të huaj që hyjnë në Shqipëri shënoi një nga rritjet më të ulëta historike në muajin maj, teksa situata e tensionuar politike në vend, por edhe agjërimi i muajit të ramazanit mund të ketë frenuar fluksin hyrës të pushuesve në vend.
Të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se për muajin e kaluar, numri i të huajve që hynë në Shqipëri u rrit me vetëm 1.7 për qind, krahasuar me majin e vitit të mëparshëm. Më konkretisht, sipas INSTAT, gjatë muajit të kaluar në Shqipëri hynë 401 mijë shtetas të huaj në total, nga 395 mijë shtetas që ishte shifra në majin e një viti me parë.
Sipas statistikave të detajuara, ngadalësimi ka ardhur kryesisht nga rënia e numrit të pushuesve nga vendet fqinje, veçanërisht kosovarëve, maqedonasve, por edhe shtetasve nga mali i zi. Këto janë vende me prezencë të ndjeshme të fesë myslimane, ndaj veç krizës politike një tjetër faktor që mund të ketë frenuar fluksin e turistëve është agjërimi I muajit të shenjtë të Ramazanit, I cili për këtë vit përkoi në maj.
Përkundër kësaj tendence, numri i vizitorëve nga vendet e bashkimit Europian si Italia apo Greqia ka vazhduar të rritet, por me ritme më të ulëta se vitet e shkuara.
Megjithatë pavarësisht ritmit të ulët në maj, si pesë mujor numri i udhëtarëve që kanë hyrë në Shqipëri është është zgjeruar me 5.8 për qind krahasuar me një vit më parë, falë rritjes më të lartë të shënuar gjatë muajve janar prill.
Kulmi i sezonit turistik në vend është periudha qershor-gusht. Por të dhënat për pesë mujorin tregojnë se ndryshe nga vitet e tjera, për 2019-ën, sektori i turizmit pritet të ketë një rritje më të ulët, edhe për shkak të situatës së tensionuar politike.
Top Channel