Presidenti Ilir Meta ashtu siç ishte paralajmëruar, ka bërë një dalje për median sot në mëngjes.
Deklarata e tij vjen pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, që rrëzoi kërkesën e Partisë së Unitetit Kombëtar, duke lënë ne fuqi 30 qershorin, të cilin Meta e quajti truk procedurial të marrë në presion e shantazh.
“Në datë 10 qershor kam dekretuar shfuqizimin e dekretit për përcaktimin e zgjedhjeve dhe anulimin e 30 qershorit për zhvillimin e zgjedhjeve vendore.
Kjo synonte një mundësi reflektimi për palët, synonte të ndihmonte përpjekjet e Ramës ndaj dialogut me Bashën pas 7 letrave, por në mënyrën më zhgënjyese ai mblodhi Kuvendin për shkarkimin e presidentit.
Vendimi i marrë dje ka të bëjë me marrëdhënien e PS dhe organizatës socialiste në komision.
Presidenti i Republikës sqaron se : kolegji zgjedhor nuk mund të shqyrtojë një gjë të tillë pasi këtë tagër nuk ja njeh Kushtetuta, qoftë për dekretin si për anulimin e zgjedhjeve.
Vendimi i djeshëm ka efekt për palët në proces. Vendimi i djeshëm justifikon paligjshmërinë e organizatës socialiste në komision, për të anatemuar vendimin e kreut të shtetit, ky vendim i orkestruar është marrë në kushtet e presionit politik të mazhorancës. Vendimi i djeshëm është një truk procedural, përpjekje e dëshpëruar për të ndërtuar një operacion propagandistik.
Jemi në një situatë paradoksale. Dekreti i presidentit për zgjedhjet është marrë në mbështetje të plotë me Kushtetutën, për pasojë vetëm gjykata Kushtetuese mund të shqyrtojë atë.
Presidenti i bën thirrje mazhorancës të tërhiqet nga paligjshmëria, E vetmja rrugë për zgjidhen e krizës është dialogu politik”, tha Meta.
Ndër të tjera presidenti Ilir Meta deklaroi se ai ndaloi zgjedhjet moniste.
“Presidenti nuk ndërhyn për të penguar zgjedhje partiake, por pa dyshim besoj se lidhur me datën 30 qershor si zgjedhje kjo datë ka rënë nuk ekziston më ligjërisht. Kush dëshiron të bëjë zgjedhje partiake unë nuk ndërhyj. Kjo të jetë e qartë brenda dhe jashtë vendit.”, tha ai.
Deklarata e plotë
Të nderuar qytetarë dhe bashkatdhetarë,
Të dashur gazetarë dhe përfaqësues të medias!
Më datë 10 qershor 2019 kam dekretuar shfuqizimin e Dekretit nr.10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore” dhe anulimin e datës 30 qershor 2019, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë.
Kjo vendimmarrje veç të tjerave synonte që t’u krijonte palëve një mundësi reflektimi dhe hapësire për të dialoguar për një zgjidhje në funksion të interesit kombëtar dhe agjendës së përbashkët europiane të Shqipërisë.
Në veçanti kjo iniciativë synonte të ndihmonte përpjekjet publike për dialog të Kryeministrit Rama, i cili i kishte shkruar shtatë letra të gjata publike Kryetarit të Opozitës, zotit Basha.
Por në mënyrën më zhgënjyese, nën direktivat e tij, Kuvendi miratoi një Rezolutë parlamentare, nëpërmjet së cilës iu bënte thirrje të gjitha institucioneve shtetërore, që të mos zbatonin Dekretin e Presidentit të Republikës, edhe pse ky Dekret ishte botuar në Fletore Zyrtare duke qenëi detyrueshëm për zbatim nga të gjithë, përfshirë këtu edhe Kuvendin e Shqipërisë.
Ditën e djeshme në Kolegjin Zgjedhor u shqyrtua kërkesa e një partie politike kundë rnjë vendimi të KQZ-së, që e pengonte atë të çregjistrohej nga zgjedhjet tashmë imagjinare të 30 qershorit.
Kolegji Zgjedhor vendosi rrëzimin e kërkesë-padisë së kësaj force politike, për t’u çregjistruar nga këto zgjedhje imagjinare.
Vendimi i marrë dje nga Kolegji Zgjedhor ka të bëjë vetëm me marrëdhënien e partisë ankuese, aleate e Partisë Socialiste dhe organizatës socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që kanë vendosur të zhvillojnë një proces të paligjshëm në 30 Qershor.
Të nderuar qytetarë,
Presidenti i Republikës, nisur nga disinformacionet e shpërndara qëllimisht në mediae gjen me vend të sqarojë se :
– Në këtë proces Kolegji Zgjedho rnuk mund të shqyrtonte aspak vlefshmërinë kushtetuese të Dekretit të Presidentit të Republikës, pasi një tagër të tillë nuk ia njeh Kushtetuta;
– Institucioni i Presidentit të Republikës nuk është thirrur nga kjo gjykatë zgjedhore si palë në proces, e për rrjedhojë vendimi i marrë nuk mund të prodhojë asnjë efekt juridik, qoftë për Dekretin, ashtu edhe për anulimin e datës së zgjedhjeve;
– Në zbatim të nenit 145, 155, 156, 158 të Kodit Zgjedhor dhe rregullave të Kodit të Procedurës Civile, vendimi i djeshëm i Kolegjit Zgjedhor, ka efekt vetëm përkundrejt palëve në proces, dhe vetëm për atë çka është vendosur midis këtyre dy palëve: pra midis organizatës socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe aleatit të Partisë Socialiste;
– Vendimi i djeshëm i marrë nga Kolegji Zgjedhor është një truk procedurial për të justifikuar politikisht paligjshmërinë e veprimtarisë së organizatës socialiste në KQZ-së dhe është një përpjekje e dëshpëruar për të ndërtuar një operacion propagandistik brenda dhe jashtë vendit për të anatemuar indirekt vendimin e Kreut të Shtetit, por kurrsesi,ky është një operacion i dështuar pas inuk prek aspak vlefshmërinë e Dekretit të Presidentit të Republikës;
– Është e qartë se ky vendim i Kolegjit Zgjedhor, i orkestruar dhe i paralajmëruar prej kohësh, është marrë në kushtet e presionit dhe shantazhit politik të mazhorancës.
Të nderuar qytetarë,
Gjithçkaqë u pa dje ishte njëshfaqje e rëndomtë që nuk ka asnjë lidhje me shtetin e së drejtës dhe me sundimin e ligjit.
Jemi në një situatë paradoksale ku, Presidenti i Republikës në zbatim të Kushtetutës ka anuluar me Dekret një proces zgjedhor monist, që ishte planifikuar për t’u mbajtur më datë 30 qershor, ndërkohë qëmazhoranca dhe organizata socialiste eKQZ-së, në paligjshmëri të plotë, vijojnë“teatrin” për të zhvilluar njëprocesvotimesh qëtashmë ligjërisht nuk ekziston në Republikën e Shqipërisë.
Dekreti i Presidentit nr.11199, datë 10.06.2019 për shfuqizimin e Dekretit për caktimin e datës 30 qershor si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për pushtetin vendor,është marrë në mbështetje të plotë me Kushtetutën dhe parimet themelore të mbrojtura prej saj, sidomos pluralizimit politik.
Për pasojë vetëm Gjykata Kushtetuese, dhe vetëm ajo, mund të shqyrtojë vlefshmërinë e Dekretit të Presidentit të Republikës.
Ky akt është në fuqi dhe i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë në Republikën e Shqipërisë.
Presidenti i bën thirrje mazhorancës të tërhiqet nga thellimi në paligjshmëri dhe shantazhet ndaj institucioneve të pavarura, pasi asgjë dhe askush nuk do ta justifikojë përballë ligjit.
Ndërkohë, si President i Republikës vazhdoj të jem i duruar, të pres reflektimin e tyre, dhe të kuptojnë se kanë përgjegjësi jo vetëm para militantëve të tyre, por përpara të gjithë qytetarëve shqiptarë, të gjithë taksapaguesve shqiptarë dhe sidomos të ardhmes europiane të Shqipërisë, që po vihet në pikëpyetje.
E vetmja rrugë për zgjidhjen e krizës, këmbëngul se mbetet vetëm dialogu politik dhe respektimi i ligjit nga të gjithë.
Top Channel