Vihet në rrezik furnizimi me barna, i tregut farmaceutik shqiptar.
Burime për Top Channel thonë se shoqata e importuesve dhe shpërndarësve të produkteve farmaceutike në vendin tonë ka refuzuar të lidhe kontratë, për vitin 2019, me Fondin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.
Shkak është bërë pikërisht “draft” kontrata dy palëshe, që ata duhet të nënshkruajnë me Fondin, e cila sipas tyre është hartuar në mënyrë të njëanshme, nga Fondi, pa marrë parasysh propozimet që shoqata e importuesve dhe shpërndarësve farmaceutikë i kishte bërë më parë se të përpilohej kjo kontratë.
Të njëjta burime konfirmojnë për Top Channel se FSDKSH në një pikë të kontratës ngarkon me përgjegjësi për mungesa të barnave në treg, pikërisht importuesit dhe shpërndarësit ndërkohë që sipas tyre vonesat apo mungesat e barnave në treg nuk janë përgjegjësi e tyre.
Për këtë ata kërkojnë që FSDKSH të ulet dhe diskutojë me ta, për të hartuar një kontratë në funksion të mbrojtjes së tregut farmaceutik, nga fiktiviteti dhe zinxhiri jo ligjor i qarkullimit të barnave, në tregun shqiptar.
Top Channel