Po vjen vera përvëluese, temperatura në mbi 40 gradë celcius

24/06/2019 22:51

Vera ka ardhur dhe bashkë me të edhe një valë të nxehti ekstrem. Parashikohen temperatura që arrijnë në mbi 40 gradë celcius, dhe i nxehti e bën të vështirë qëndrimin nëpër radhë në postë, mbajtjen e peshave në kapanone industriale, apo edhe thjeshtë qëndrimin ulur në zyrë.

Ndaj duhet të parapërgatitemi sepse në një planet gjithnjë e më të nxehtë, vera do të bëhet më e kushtueshme. I nxehti i madh ka pasoja tek shëndeti, por rrit edhe kërkesën për energji për të freskuar hapësirat ku qëndrojmë, që nga ambjentet e punës e deri tek shërbimet publike.

Sipas një studimi të fundit, në rastin e një nxehjeje të konsiderueshme të klimës në 30 vitet e ardhshme, kërkesa për energji, e lidhur me klimën, do të rritet nga 25-58 për qind, kjo në varësi të rajonit të planetit. Nëse do të përballemi me një ngrohje të moderuar të planetit, ose nëse do të vihen në jetë politikat e propozuara për reduktimin e emetimeve siç kërkohet nga marrëveshja e Parisit e 2015, rritja e kërkesës për energji do të jetë më e kufizuar, nga 11-27 për qind. Sipas kërkimeve, kërkesa për energji do të rritet veçanërisht shumë në rajonet tropikale dhe në rajone si SHBA, Evropa dhe Kina.

Dhe faktori kryesor në këtë rritje të kërkesës do të jetë nevoja për ajër të kondicionuar, mbi të gjitha në industri dhe shërbimet publike. E faji për këtë është i temperaturave që rriten dhe ditëve të nxehta që shtohen po ashtu. Sipas studiuesve, deri në 2050 do të ketë mesatarisht 75 ditë të nxehta më shumë, krahasuar me sot.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA