Banorët e Stambollit i rikthehen sot qendrave të votimit për zgjedhjen e kryebashkiakut të qytetit më të madh të Turqisë, pasi fitorja surprizë e kandidatit të opozite në muajin mars, u anulua. Ekrem Imamoglu fitoi me 13,000 vota, e kjo nxiti pretendimet e partisë në pushtet, AK për parregullsi në votim.
Imamoglu zotohet “të luftojë për demokracinë”, e sondazhet e opinionit tregojnë se gjasat janë të mëdha qe ai ta mposhtë serish kundërshtarin e vet, ish-kryeministrin Binali Yildirim. Fitorja e Imamoglu u shmang nga autoritetet zgjedhore bazuar mbi një teknikalitet – për shkak të mosplotësimit të kritereve nga disa zyrtarë të qendrave të votimit.
Në rrugë mbizotëron një ndjesi e fortë për drejtësi, thonë agjencitë e huaja të lajmeve. “Për mua, ai fitoi një herë. Meqë ky do jetë një rast vjedhjeje, ne do të shkojmë të votojmë sërish për Imamoglun, sa për t’i inatosur”, tha një banor vendas për njërën prej tyre.
Rezultati i zgjedhjeve në Stamboll konsiderohet i rëndësishëm edhe për vetë të ardhmen e Rexhep Taip Erdoanit. Si ish kryetar bashkie i Stambollit, qendra ekonomike dhe kulturore e Turqisë dhe shtëpia e mbi 15 milionë banorëve, Presidenti turk e ka thënë shpeshherë se “kush fiton Stambollin, fiton Turqinë”.
Top Channel