Bashkimi Evropian e shtyu për në muajin tetor vendimin e çeljes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Në Luksemburg u theksua se nuk ka pasur kohë të mjaftueshme për të marrë vendim rreth çeljes apo jo të bisedimeve.
Në konkluzionet e arritura për secilin prej vendeve kishte dallime. Për Maqedoninë e Veriut nënvizohej Marrëveshja e Prespës dhe Marrëveshja Për Marrëdhënie të Mira Fqinjësore me Bullgarinë, ndërsa në vendimin për Shqipërinë nuk përmendet ndonjë veprim specifik.
Komisioneri evropian i zgjerimit, Johanes Hahn sqaroi se ishte një pakicë vendesh që nuk e kishte përkrahur nisjen e negociatave, por mjaftueshëm sa për të rrëzuar pritshmëritë e Tiranës dhe Shkupit për një datë të shpejtë.
Që përpara takimit, njihej kundërshtia e Francës, Holandës dhe Danimarkës, por duket se në sallë kanë qenë dhe disa vende të tjera që e kanë shfaqur hapur mos pajtimin me çeljen e negociatave.
Përmes një postimi në “Twitter”, ish ministri maqedonas Antonio Milloshoski, identifikoi dhe katër vende të tjera që siç tha ai, ishin kundër: Gjermania, Luksemburgu, Belgjika dhe Spanja.
Mes vendeve pro, kanë qenë Bullgaria, Kroacia, Sllovenia, Italia, Çekia, Hungaria, Polonia, Sllovakia, Lituania, etj.
Greqia, gjithmonë sipas Milloshoskit, është treguar e përmbajtur. Duke cituar burime diplomatike, VOA thotë se Maqedonia e Veriut ende ka shansin më të mirë për të marrë hapjen e negociatave më vonë këtë vit, ndërsa mundësitë e Shqipërisë duken më të pakta.
Top Channel