56 milionë lekë është gjoba që Agjencia e Barnave i ka faturuar Kompanisë “CFO Pharma”, për tregtimin e barit soludamin, kundrejt një çmimi abuziv 18 herë më shumë se sa e kishte miratuar Komisioni i Çmimit të Barnave .
Gjoba i është nisur me postë Kompanisë pasi ekipi i punës pranë Agjencisë së Barnave bëri përllogaritjet e të gjitha faturave hyrëse dhe dalëse të “CFO Pharma”, në lidhje me soludaminën që u ka shitur depove farmaceutike deri tek farmacitë.
Pak më herët pasi investigoi në treg menjëherë pas një kronike të transmetuar në Top Channel, Agjencia e Barnave, nëpërmjet një deklarate qartësoi së falsifikimi i pullës së barit si dhe ndryshimi i çmimit penalizohet me gjobë sa 10 fishi i përfitimit abuziv, bazuar kjo në ligjin e barnave .
Bazuar në vlerën e gjobës përllogaritet se nga shitja e soludaminës me çmimin 18 herë më shumë se sa ishte përcaktuar , kompania “CFO PHarma”, u ka vjedhur xhepave të shtetasve shqiptarë 5.6 milionë lekë, pa llogaritur këtu fitimin me çmimin e përcaktuar të medikamentit . Por përveç kësaj gjobe në vlerën 56 milionë lekëve kreu i “CFo PHarma”, pritet të përballet edhe me drejtësinë pasi falsifikimi i pullës së barit konsiderohet shkelje penale. Për këtë në Prokuroi është depozituar dosja kundrejt “CFo Pharma”.
Top Channel