“Matematika është provimi i tretë ku janë testuar mbi 36 mijë maturantë në të gjithë Shqipërinë. Pas tij nxënësit i pret provimi i fundit, ai i lëndës me zgjedhje më 24 qershor”.
“Në 3 provime, unë matematikën e kisha pak më të vështirin, ndërsa dy të tjerët ishin ok”, tha një maturant.
“I më i vështirë letërsia dhe gjuha, ndërsa ky pak më i lehtë”, u shpreh një tjetër.
“Bëmë ça ditëm dhe jemi shumë të tensionuar tani. Për mua personalisht, letërsia mu duk shumë e ngarkuar, nuk dilte koha por që ja dolëm”, rrëfeu një tjetër maturant.
Për të dalluarit në matematikë, 2 orë e gjysmë ishin të mjaftueshëm për të përfunduar provimin. E për të tjerët, teza ishte tepër e ngarkuar. Në 1 metër distancë larg njëri-tjetrit, maturantët tregojnë se kopjimi ka qenë thuajse i pamundur.
“Nuk na lanë të kopjonim, provimi i vështirë po hajt i bëmë”, tha maturanti.
“Goxha mirë, të mos qahemi”, rrëfeu një tjetër.
Ambientet e shkollës të mbikëqyrura me kamera, telefona të ndaluar dhe 1 mësues mbikëqyrës në një klasë, me mesatarisht 15 nxënës, kontroll i cili ka shqetësuar prindërit e maturantëve, që i prisnin me ankth jashtë.
“I Kanë tensionuar pa filluar provimi. Unë jam nga ata prindër që nuk dua që fëmija të kopjojë apo të komunikojë, por jam shum e indinjuar kanë terrorizuar fëmijët”, u ankua një prind.
“Shumë të stresuar, rregullat tmerrësisht të rrepta. Presioni më tepër seç duhet, se pak ata e kanë pa hyrë edhe kjo dyfish”, tha një tjetër.
Të padrejtë e quajnë këtë proces demokratët. Sipas ish deputetit Luçiano Boçi, teza ka dalë pa filluar provimi, ndërsa ish-kryeministri Berisha teksa akuzon se po bëhet biznes me tezat e provimit, shkruan në Facebook se teza e matematikës ka dalë në orën 10:30, gjysmë ore pas nisjes së provimit.
Top Channel