Në Kashar, Erion Veliaj premtoi me shumë shërbim ndaj fshatrave  të kryeqytetit pa dallime partiake. Ai kërkoi votën në 30 qershor, me qëllimin për të vazhduar punën në Bashkinë që drejton. “Ashtu siç Amerika nuk u jep vizë, -tha Veliaj, -atyre që drejtojnë këtë proteste edhe qytetarët duke votuar në 30 qershor do tu heqin vizën”.

“Thonë po pse mo do të shkojmë të votojmë ne për çerdhe e për kopshte? Më fal e kujt i bëhet vonë se Saliut s’i japin vizë, se Tit Vasilin s’i japin vizë. Nëse bota ta ka hequr vizën, në fakt ky është inkurajim ta heqim edhe ne. Kujt po i ha meraku, kush do të shkojë në shpi sot në darkë dhe do i thotë burrit të vet: S’po fle se nuk i paskan dhënë Saliut vizë. Aman s’po më zë gjumi se nuk i kanë dhënë Tit Vasilit vizë të shkojë në Las Vegas. Kush nga ne ka dhimbje koke për këtë punë. Pak halle kanë njerëzit, të merren dhe me hallet e tyre. Këta kanë halle luksi. Kur ti shikon vetëm makinat e tyre, aty kupton që ata i kanë zgjidhur hallet. Ata kanë makina sa një njeri në Kashar duhet të punojë tërë jetën, ndoshta edhe për 3 breza. Nuk janë këta për varfërinë. Nuk i ha meraku. E nëse nuk i ha meraku për ne, përgjigja jonë nga Kashari është, as ne nuk na ha meraku për ju. Nëse Amerika iu ka hequr vizën, ky është problemi juaj, jo i joni. Në datë 30 qershor, ua heqim edhe ne vizën, vazhdojmë me PS, me këshilltarët tanë, me çunat dhe gocat tona për të zgjidhur hallet tona dhe hallet e këtij komuniteti”, tha Veliaj.

Më tej ai theksoi se të gjithë krerët e opozitës kërkojnë të përdorin njerëzit e thjeshtë për problemet e tyre politike dhe nuk kanë menduar asnjëherë për hallet e njerëzve.

“I keni parë ndonjëherë Lulin, Saliun, Monikën, Ilirin, Petrit Vasilin në Kashar? As nuk e dinë ku bie, sepse e kanë transit, ose rrugës për në aeroport ose rrugës për te Gjiri i Lalzit. Nuk kanë ata lidhje me këtë vend, por ajo që dua t’ju them është kjo: Ne nuk kemi plan tjetër. Leje filxhanin, sepse filxhani e mori më qafë, sepse i doli 30-a në filxhan, tani do me u çmen komplet. Por nëse ata e kanë një plan tjetër, nëse e kanë një pasaportë tjetër, nëse e kanë një vend tjetër, nëse e kanë një shtëpi tjetër, ne të tjerët kemi vetëm 1 vend. Kemi vetëm 1 qytet, kemi vetëm 1 shtetësi, kemi vetëm 1 komb, kemi vetëm 1 të ardhme. Quhet Shqipëri, quhet Tiranë dhe do ta bëjmë vetë”, u shpreh kandidati socialist.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA