Meta letër KQZ/ Bashkitë e PD: Të mbyllen KZAZ

14/06/2019 19:51

Pa kaluar 24 orë nga votimi në parlament i rezolutës kundra presidentit, kreu shtetit bën veprimin e radhës që paralajmëron një shpërndarje të mundshme të parlamentit.

Paraditen e të premtes sekretari përgjithshëm i presidencës zonja Ornela Zonja i ka dërguar një letër me dy pyetje KQZ-s, ku kërkon të dijë se cili është numri aktual i mandateve të deputetëve në kuvend në shkallë vendi si dhe vënien në dispozicion të listës emërore të deputetëve aktual në parlament.

E ndërsa kjo letër kishte mbërritur në KQZ, presidenti e përforcoi me zë dhe figurë, se çfarë pasoje synonte të prodhonte ky veprim.

“Presidenti është zgjedhur nga Parlamenti, natyrisht jo nga ky; por nga një Parlament tërësisht legjitim”, tha Meta.

Me referencë KQZ-n që nuk iu bind çdekretimit të zgjedhjeve, presidenti paralajmëroi kur tha se ata që ecin në rrugën e paligjshmërisë duhet të jenë të sigurt që do të kenë të gjitha pasojat.

Në një kohë kur presidenti dhe PD i quajnë veprimet e KQZ si të jashtëligjshme pas daljes së dekretit të 10 Qershorit, Denar Biba numri dy i KQZ lëshon një sfidë të hapur.

“Sfidoj cilin do prej tyre të godasi cilin do vendim të KQZ në cilën do gjykatë që ta vlerësojë ai dhe le ta shohim nëse gjykata do e lërë në fuqi apo vendimin e KQZ”, tha Biba.

E ndërsa shënjestra e presidencës është vendosur nga parlamenti, bashkitë e djathta që drejtohen nga PD dhe LSI shënjestrën e tyre e graduan nga zgjedhjet e 30 Qershorit. Përmes disa letrave zyrtarët lokal të opozitës i kërkuan KQZ lirimin e ambienteve, nën administrimin e këtyre bashkive të planifikuara për tu shfrytëzuar si KZAZ si dhe ndërprerjen e afishimit të listave të zgjedhjeve në qendrat e votimit. Pasojat e çdo veprimi nga ata për të ndërprerë fazën parapërgatitore të zgjedhjeve i shpjegoi nga studio e Top-Talk nënkryetari KQZ.

“Kemi patur disa problematike me kryetarë bashkishë të së djathtës, të cilët duke mos njohur datën e zgjedhjeve nuk po bashkëpunojnë për përgatitjet. Ju kujtoj zotërinjve se pengimi i zgjedhjeve është vepër penale dhe shumë shpejt do të ketë kallëzim për ta”, u shpreh Biba.

Edhe kryeministri Rama pati një mesazh për kryebashkiakët e opozitës të cilëve u thotë: Kryebashkiakë demokratë!Mos bini viktimë e katërshes SB/IM/LB/MK duke nxjerrë pengesa për zgjedhjet.Referojuni ligjit jo hallit të tyre të madh e as zhurmës së tyre të kotë.Nuk ju nxori PS nga gara po ata dhe ata duhet të përgjigjen para jush, jo ju para tyre.Ligji s’ka mëdyshje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA