Punonjësit e Uzinës së Armëve në Poliçan kanë dalë sot sërish në protestë, pasi prej 2-vjetësh nuk marrin asnjë pagë për punën që kryejnë. Në protestën e tyre të tetë në këto 2-vitet e fundit, punonjësit i janë drejtuar sërish qendrës së tyre të punës  Uzinës së Armëve, ku edhe janë grumbulluar bashkë për të protestuar përpara portës kryesore të Uzinës.

Edhe pse në këto vite ata i janë drejtuar me shkresa zyrtare Ministrisë së Mbrojtjes dhe Kryeministrit, ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje pozitive për zgjidhjen e këtij problemi.

Rreth 150 punëtorë që punojnë prej vitesh në sektorët më të vështirë të Uzinës së Armëve, duke filluar nga montim-çmontimi i predhave luftarake e deri tek prodhimi i fishekëve, prej 2-vitesh nuk kanë asnjë pagë dhe gjendja e tyre ekonomike është vështirësuar së tepërmi.

Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Uzinës së Armëve në Poliçan, Abedin Çela, duke folur rreth bllokimit të pagave të punonjësve, i bën apel Ministrisë së Mbrojtjes  të gjejë një zgjidhje të menjëhershme për pagesat e punëtorëve të Uzinës.

Punonjësit e Uzinës së Armëve në Poliçan shprehen se prej 2-vjetësh nuk marrin asnjë rrogë mujore për punën që kryejnë në këtë uzinë, ku për shkak të kushteve të vështira të punës dhe helmeve, vuajnë të gjithë me sëmundje profesionale.

Sipas punonjësve të Uzinës së Armëve, kjo gjendje e krijuar, i ka rrënuar ekonomikisht dhe i ka kredhur në borxhe.

‘”Edi Ramës i dhamë edhe tepsinë edhe timonin dhe prej 2-vjetësh që nuk na jepet asnjë pagë,ai nuk i përgjigjet ankesave tona”-, shprehen ata. Punonjësit deklarojnë se duke parë se askush nga Ministritë e linjës nuk po denjojnë ta zgjidhin këtë shqetësim, do ti drejtohen për zgjidhje Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe Ambasadës Amerikane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA