Moda në Kinë

13/06/2019 19:14

Veshur me një mantel të gjatë të derdhur, stolisur me qëndisma lulesh e rruaza nga një epokë e kaluar, stilistja Xiao Hang duket sikur ka bërë ndonjë udhëtim në kohë me krijimet e saj të fundit, që i afishoi edhe në metronë e Pekinit, duke tërhequr shikime dhe pyetje kureshtare.

Kina ka përqafuar modën perëndimore dhe teknologjinë futuriste, ndërsa ekonomia e saj ka pësuar dekadat e fundit rritje të rrufeshme, por një numër gjithmonë e më i madh te rinjsh si Xiao janë duke rrëmuar në të kaluarën për veshje te vjetra tradicionale “hanfu” apo “veshje Han”. Këto kostume historike të shumicës etnike Han po përjetojnë një lloj rilindjeje, e kjo i detyrohet pjesërisht edhe promovimit që po i bën qeveria kulturës tradicionale në një përpjekje për të rritur patriotizmin e forcuar identitetin kombëtar.

Filmat e asaj periudhe kanë kontribuar gjithashtu në rritjen e interesit për veshjen tradicionale kineze – “The Story of Minglan”, një serial televiziv i vendosur në Dinastinë Song, tërhoqi më shumë se 400 milion shikues në tre ditë kur debutoi në fillim të këtij viti.

“Kur ishim të vegjël, i shihnim me çudi të madhe veshjet e derdhura dhe merrnim perdet e i hidhnim në trup duke pretenduar se ishin fustane të mrekullueshme si ato. Kjo lloj nostalgjie nuk shuhet lehtë”, është shprehur stilistja, Xiao Hang.

Nuk ka një përkufizim të qartë të asaj që cilësohet si `hanfu` sepse çdo dinasti e dominuar nga Hanet ka stilin e vet, por veshjet në përgjithësi karakterizohen të gjitha nga rroba të lirshme, që derdhen ne trup, dhe mëngë që varen deri tek gjunjët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA