Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së enjtes dy punësimin e shefit juridik të Portit Detar Vlorë, Fredi Xhoshi, i cili krahas punës në shtet, punon me kohë të plotë edhe si avokat privat. Jo vetëm në qytetin e Vlorës, por edhe në rrethe.

Kamera e Fiks Fare faktoi se Z.Xhoshi, gjatë orarit zyrtar të punës në port, lëviz në sallat e seancave gjyqësore në Gjykatat e Vlorës, Apelin dhe Shkallën e Parë. Nga verifikimet rezultoi se seancat nuk janë me palë Portin Vlorë, por janë me palë individë privatë, ku Z.Xhoshi mbron interesat e personave privatë.

Fiks Fare bisedoi me punonjës të Gjykatave të Apelit dhe Shkallës së Parë Vlorës, që pohojnë se juristi i portit është edhe avokat me kohë të plotë. Sipas tyre, ai vjen rregullisht në seancë, madje ka edhe një zyrë edhe në afërsi të Gjykatës së Shkallës së Parë, Vlorë.

Pas verifikimit të rastit, Fiks Fare bisedoi personalisht me juristin/avokatin Fredi Xhoshi. Ai ndodhej në ambientet e Gjykatës së Vlorës, ku merr pjesë rregullisht në seanca gjyqësore, madje edhe takon dhe sqaron klientët e tij privatë. Bashkëpunëtori i Fiks Fare i tregoi se ka një problem gjyqësor me Agjencinë e Trajtimit të Pronave dhe Z.Xhoshi i tha se mund ta përfaqësoj ai në gjykatë.

Bashkëpunëtori i tha se procesin gjyqësor do ta hapë në Gjykatën e Lushnjës dhe nëse ai mund të shkonte në këtë gjykatë. “Patjetër” i tha avokati, ndërsa i tregoi edhe zyrën e tij si avokat.

“E kam te pallati këtu (përballë gjykatës së Vlorës), kati i dytë…” i tha ai. Pas këtij informacioni, Fiks Fare shkoi në Portin e Vlorës, ku punonjës thanë se “Fredi punon në port dhe është avokat super”.

Fiks Fare kontaktoi me drejtorin e Portit të Vlorës, Admir Malaj, për oraret e punës së z.Fredi Xhoshi dhe nëse i ka dhënë leje për të marrë pjesë në seanca gjyqësore.

Menjëherë pas vendosjes në dijeni, Porti Detar Vlorë SH.A, ka kryer verifikimet mbi veprimtarinë e jashtme të ushtruar nga ana e punëmarrësit Z.Fredi Xhoshi, nga ku është konstatuar se pa dijeninë e institucionit, ky punonjës në disa raste është paraqitur në gjykatë si përfaqësues i personave privat.

Mbi konstatimet e bëra është organizuar dhe një takim me punëmarrësin Z.Fredi Xhoshi, ku i është komunikuar shkresa e dërguar nga ana juaj, konstatimi i bërë nga drejtoria si dhe vendimi i marrë nga titullari për zgjidhjen e marrëdhënies juridike të punës. Vendimi për zgjidhjen e marrëdhënies juridike të punës është marrë më datë 17.05.2019 me numër protokolli 137″ thuhet në përgjigjen e Portit Vlorë.

Pra, drejtuesit e Porti të Vlorës nuk kanë pasur dijeni për punën si avokat të shefit të sektorit juridik. Drejtori vendosi shkarkimin menjëherë pas informacionit të Fiks Fare!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA