Pas dhënies me koncesion të laboratorit në QSUT janë ndaluar tanimë analizat specifike që bëheshin më parë si shërbim ambulator. Tashmë askush nuk mund të shkojë në QSUT të referuar nga mjeku i familjes, apo mjeku specialist për të bërë analizën e markusit tumoral, hemoglobinë e glukozuar në gjak apo të tjera analiza nëse nuk je pacient i shtruar në shërbimet e QSUT .
Ky është një urdhër i brendshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, i cili i kërkon drejtorisë së QSUT, të mos pranojë asnjë pacient që vjen i referuar nga mjeku i familjes, apo mjekë të poliklinikave të specialiteteve.
Ministria e Shëndetësisë thotë se poliklinikat e specialiteteve janë pajisur me aparatura për kryerjen e këtyre analizave.
“Në poliklinikën e specialiteteve nr 3., është futur një gamë e re analizash, të cilat nuk bëheshin në fillim. Pacientit e rajonit tonë mbanin radhë të gjata për të bërë analizat në QSUT dhe tashmë e kanë afër dhe analizat specifike si e markusit tumoral, hormone të veçanta, elektrofoleza tashmë e hemoglobinës dhe e proteinës, bëhen pranë Poliklinikës së specialiteteve numër 3”, tha Manjola Lika, mjeke laboratori në Poliklinikën e specialiteteve nr 3.
Por në fakt në QSUT vazhdojnë të paraqiten pacientë për shkak se nuk besojnë në analizat që mund të kryhen në poliklinikat e specialiteteve.
Gjithsesi ky është një ogur i mirë nëse poliklinikat e specialiteteve do të kenë furnizim të vazhdueshme me reagentë dhe jo vetëm tani në fillim, kur janë pajisur me aparatura. Pasi edhe në laboratorin më të madh në vend, në QSUT ka pasur herë pas herë mungesa të reagenteve për shkak të vonesave në tendera.
Në këtë rast pacientët nuk kanë alternativë tjetër përveçse t’u drejtohen klinikave private.
Top Channel