Dita e punës nisi ndryshe sot për kryeministrin Edi Rama dhe kandidatin e PS për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, i cili kërkon besimin e qytetarëve për një mandat të dytë si kryebashkiak, për të vijuar projektet transformuese për kryeqytetin.
Ata zgjodhën që kafen e mëngjesit ta pinë me banorë të zonës së Brrylit, me të cilët bashkëbiseduan për një sërë projektesh të rëndësishme, të cilat do të vijojnë edhe në 4-vjeçarin e ardhshëm, si edhe rasti i projektit të “Unazës së Re”. Kryeministri Rama tha se nuk ka rrugë tjetër përveç zhvillimit të zonës, ndërsa Veliaj sqaroi planin që do të zbatohet në vazhdim.
Veliaj siguroi se askush nuk do të ngelet pa strehë, ndërsa sqaroi se shumë prej banorëve po pranojnë propozimin e bashkisë për t’u zhvendosur në banesa sociale. Duke u ndalur në investimet e shumta që janë realizuar në këtë zonë, si rikonstruksioni i çerdheve, kopshteve, rehabilitimi i disa blloqeve të ndërtimit, këndet e lojërave, Veliaj theksoi se më e mira është përpara dhe se puna do të vijojë më tej në mandatin e dytë.
Pista të reja biçikletash që do të nisin nga Shkoza dhe do të përfundojnë te Pallati me Shigjeta, impiantet në Kashar si dhe shtimi i parkimeve në kryeqytet, këto janë disa nga projektet të cilat do të vijojnë edhe në mandatin e dytë. “Pista e biçikletave do fillojë në Shkozë dhe do mbarojë te Pallati me shigjeta, e cila do të jetë një korsi preferenciale për qytetarët. Rregulluam trotuaret për këmbësorët, ndërkohë që puna do të vijojë edhe korsitë e biçikletave”, tha Veliaj.
Zgjidhje do të marrë edhe çështja e parkimit në këtë zonë. Veliaj theksoi se falë investimit të Bashkisë së Tiranës për parkun e ri “7 Xhuxhat”, përveç këndit të ri të lodrave, poshtë tij ndodhet edhe parkingu i ri me 200 vende. “Në Tiranë sot 50% e njerëzve ecin në këmbë, 30% ecin me autobus ose me biçikletë dhe vetëm 20% me makinë. Kështu që, edhe këto investime duhet t’i çojmë në këto proporcione” tha ai.
Më pas, kryebashkiaku Veliaj zhvilloi një sërë takimesh me qytetarët dhe pronarët e bizneseve të vogla në zonën e Brrylit, ku bisedoi rreth punës që është bërë në këto katër vite dhe asaj që e pret kryeqytetin në katër vitet e ardhshme.
Top Channel