Të gjitha bizneset me xhiro mbi 2 milionë lekë në vit duhet të hapin llogari bankare me detyrim, në të kundërt do të ndëshkohen me gjoba.
Projektligji i propozuar nga qeveria u miratua në komisionin parlamentar të ekonomisë. Por kryetari Arben Ahmetaj i kërkoi ministrisë së financave të detyrojë bankat që të ulin komisionet.
“Uluni urgjentisht me guvernatorin që të detyroni bankat për të ulur koston e hapjes dhe mirëmbajtjes së llogarive. Sepse tani ne po detyrojmë mijëra biznese të vogla të hapin llogari bankare me ligj dhe nuk mund t’ju ngarkojmë këtë kosto”, tha ai.
Qeveria kishte propozuar që gjobat për bizneset pa llogari bankare të varionin nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë në varësi të xhiros. Por me propozim të Ahmetajt komisioni vendosi që ti përgjysmonte ato.
Sipas variantit final të miratuar, për bizneset me xhiro nga 2 milionë deri në 8 milionë lekë në vit gjoba për moshapje llogari bankare do të jetë 25 mijë lekë. Për ato me xhiro mbi 8 milionë lekë në vit gjobat do të jenë 50 mijë lekë, ndërsa për organizatat jofitmprurëse 37 mijë e 500 lekë.
Sipas qeverisë detyrimi i të gjitha bizneseve është kërkesë e bashkimit europian për të luftuar pastrimin e parave dhe informalitetin në ekonomi.
Top Channel