Zhvatja nga spitalet private. Neglizhenca që çoi gruan në vdekje klinike dhe 6 vjet betejë me gjykatën

04/06/2019 20:21

“Profesionin tim do ta ushtroj me ndërgjegje e me dinjitet. Shëndeti i pacientit tim do të jetë brenga ime më e madhe.”

Këto janë disa nga rreshtat e betimit të Hipokratit. Por sot do të tregojmë se si ky betim shkelet në spitalet private të vendit tonë. Data 3 tetor e vitit 2013 për shtetasen me iniciale E.G do të shënonte një ngjarje të pazakontë.

“Në datën 6 tetor të vitit 2013 ishim në një dasmë aty më sëmuret nusja. E çova në Tiranë, me mendim se spitalet e shtetit nuk bëjnë, e dërgova në spitalin më të mirë në privat. Erdhi doktori punë 2-3 orësh, më thanë që nusja ska asgjë, gjendja u normalizua, nusen çoje në shtëpi. Sa ke paguar për shërbimin që more atë natë. Dihet se privati i ka tarifat e shtrenjta 900 mijë lek më duket”, deklaroi denoncuesi.

Përmirësimi i shëndetit të pacientes kish ndodhur vetëm tek fjalët e mjekut, por jo tek zemra e pacientes. Një ditë më pas ajo pëson vdekje klinike.

“Unë të nesërmen ika në punë, pasi punoj në ndërtim dhe bëj llaç. Kur me merr goca në telefon, hajde se vdiq mami. Dhe i kam gjet komshinjtë duke e mbajtur në batanije, duke e nxjerr nga spitali ( Fushë Krujë ), jo duke e futur. Mjekët (e spitalit të Fushë Krujës) më thonë gjallë është, por ka pësuar vdekje klinike. Unë thash nuk do ta çoj në shtëpi, e dërgoj atje ku e pata mbrëmë tek spitali privat. Kishin kaluar vetëm 6-8 orë si mund të ndodhë kjo. E futën në urgjencë ( tek spitali privat) dhe dolën e më thanë që nusja ka vetëm 1% jetë, i ka plasur aorta duhet bërë operacion. Pyeta sa shkon më thanë vetëm aorta 15 mijë e 600 euro”, shtoi në fjalë e tij denoncuesi.

Edhe pse e pagoi shtrenjtë qëndrimin në spitalin privat, kurimi nuk ndodhi. Kësaj herë të rënduar nga gjendja ekonomike iu drejtuan spitalit publik.

Denoncuesi shtoi: “Brenda paketës që ishte 3 ditë, ne qëndruam dy javë aty dhe varej se sa shkon nata nga 100-170 euro në bazë të shërbimit dhe mjekimeve që i bëhej nuses. E mora e çova në shtëpi, madje nuk e nxorën mirë kishte një kollë të keqe. I pyeta dhe më thanë është normale për këta që kanë sëmundje zemre. Pas dy ditësh e çoj në sanatorium tek spitali i shtetit. Kemi qëndruar atje 2 javë pasi zemra çonte ujë në mushkëri. Këto duhet t’i kishe zgjidh spitali jo unë. E çova nusen në spital të shtetit prapë të vdekur, atje nuk e çoja dot më sepse nuk kisha mundësi ekonomike. Shteti më shpëtoi”.

Familjarët e pacientes I.G të zhgënjyer nga shërbimi i spitalit privat, i drejtohen drejtësisë shqiptare. Është Mjekësia Ligjore ajo që vendos pikat mbi “i”.

“Nga hetimet që u bënë dolën në faj ata për mjekim të pakujdesshëm këta i’a nxori mjekësia ligjore. Mjekësia ligjore tha se aorta i plas që në datën 6, natën e parë”, tha denoncuesi në fjalën e tij. Këtë çështje do ta çoj deri në Hagë, do të kërkoj drejtën e familjes sime”, përfundoi deklaratën e tij.

Prej 6 vitesh pacientja e spitalit privat endet në dyert e gjykatave. Të pakënaqur nga vendimet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësorë Tiranë, të Shkallës së Parë dhe asaj të Apelit për masën e dëmshpërblimit. Bashkëshorti i saj premton se kjo dosje do të shkoj edhe në gjykata përtej kufijve të Shqipërisë, nëse drejtësia sipas tij nuk shkon në vend.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA