Kreu i Partisë Demokratike dy ditë pas protestës më të fundit të opozitës në Tiranë ka vizituar kryeqytetin gjerman, ku ka takuar edhe zv/Kryekëshilltarin e Kancelares Angela Merkel, Joachim Bertele.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë kreu i demokratëve nëpërmjet një postimi në Facebook, ku shkruan se pavarësisht krizës ku ndodhet vendi, do të bëjnë gjithçka për të hapur rrugën Europiane të Shqipërisë.

“Pavarësisht krizës që po kalon aktualisht Shqipëria, problemeve me lidhjet e politikës me krimin, shitblerjes së votave, korrupsionit, ne do të bëjmë gjithçka që ashtu siç liberalizuam vizat t’i hapim rrugën edhe anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, shkruan Basha, duke shtuar se ndodhej në Berlin në një takim në qendër të Dialogut të Nivelit të Lartë që po zhvillohet nga Fondacioni Konrad Adenauer në bashkëpunim me Këshillin Ekonomik Gjerman në Berlin, ku referues kryesor ishte edhe dr. Joachim Bertele, zv/kryekëshilltari i kancelares Angela Merkel për Politikat e Jashtme, të Sigurisë dhe Zhvillimit.

“Nuk ka asnjë diskutim që e ardhmja e Shqipërisë dhe e Ballkanit Perëndimor është BE. Mirënjohje për angazhimin dhe mbështetjen e pakursyer të Gjermanisë në procesin e integrimit Shqipërisë në BE por dhe të ruajtjes së pacënuar të tërësisë territoriale të Kosovës. Tani është koha për të ndalur politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin që për interesat e tyre po kërcënojnë perspektivën europiane dhe paqen e stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, shkruan më tej Basha.

Më herët Basha, po përmes rrjeteve sociale, bëri me dije se kishte takuar në Berlin, komisionerin Europian per Buxhetin, Günther Oettinger.

“Sot në Berlin pata një bashkëbisedim të frytshëm për Shqipërinë, zhvillimin ekonomik dhe projekte të rëndësishme që do të përmirësojnë jetën e qytetareve tanë, me Komisionerin e BE për Buxhetin dhe Burimet Njerëzore, Günther Oettinger . Angazhim dhe përkushtim maksimal për punësim, mirëqënie, zhvillim ekonomik për qytetarët për #ShqipërinëSiEuropa.”, shkruan Basha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA