E treta ditë e asaj që socialistët e quajnë maratona drejt 30 qershorit e gjeti kryesocialistin Edi Rama në Kurbin, ku kandidon Majlinda Cara, e cila tha se motoja e fushatës së saj është “Për Kurbinin që Duam”.

30 Qershorin Edi Rama nuk e shikon thjesht një ditë ku votohet, por, sipas tij, kjo është një betejë mes çuarjes së Shqipërisë përpara dhe atyre që duan ta kthejnë në të shkuarën.

“Nuk është çështja kush do të bëhet kryetar i ardhshëm i bashkisë, por se si do të jetë Shqipëria nesër dhe ne duam që të fitojë Shqipëria”, tha Rama.

Aksionin e opozitës, Edi Rama e quajti shkuarje drejt humnerës dhe i dha përgjigje motos së protestave “Rama ik”: “Ja se po i shtyjmë zgjedhjet dhe bëjmë qeveri siç e do opozita, edhe kryeministrin ta vendosin ata. Me çfarë sy e faqe do të vijmë pastaj nesër që të kërkojmë mandatin e njerëzve për 4 vite të tjera. Nuk mundet, nuk duhet dhe nuk do ta lejojmë”.

Edhe një herë tjetër Edi Rama për dhunën në protestën e të dielës bëri përgjegjës Sali Berishën: “Plaku që i mban lidhur ata si kokrrat e tespieve në dorën e vet, nxori sikur dy protestuesit e djeshëm ishin masakruar nga policia. Babë e bir ishin masakruar nga ata vetë, huliganë me shkopa hekuri”.

Dhe në fund, Rama u kujdes mos të largohej pa një mesazh pikant për çunat e Laçit: “Italinë e keni shtëpinë tuaj, mos e mbyllni atë derë se te kasollja e Lulit nuk ngelet gjë për ju se i ha të gjitha kunati”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA