Gjatë konferencës për shtyp gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, pyeti Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Stoltenberg dhe kryeministrin Edi Rama se muajt e fundit ka patur një valë protestash në Serbi, Malin e Zi dhe në Shqipëri ku opozita ka lënë mandatet dhe bojkotuar zgjedhjet lokale. Nga informacionet që keni a ka të dhëna që sugjerojnë së këto protesta janë të influencuara nga Rusia, e cila kërkon një Ballkan të destabilizuar larg vlerave Euro-Atlantike?

Në përgjigjen e tij sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e vuri theksin te demokracia dhe te respektimi i institucioneve demokratike, duke apeluar për dialog pavarësisht debateve, duke ia kaluar fjalën kryeministrit Rama, nëse ka apo jo influencë ruse në Shqipëri.

“Mosmarrëveshjet politike janë pjesë e demokracisë. Ajo që nuk është e pranueshme është dhuna dhe çdo përpjekje për të minuar institucionet demokratike. Respektoni institucionet demokratike. Çdo mosmarrëveshje duhet zgjidhur përmes proceseve demokratike. Zgjedhjet janë një element thelbësor i proceseve demokratike në shtetet anëtare të NATO-s, prandaj u bëj thirrje të gjithë palëve të marrin pjesë në proces. Palët të zgjidhin problemet përmes dialogut. Kemi parë përpjekjet e Rusisë për t’u përfshirë në institucionet e vendeve demokratike, duke u përfshirë edhe në institucionet e NATO-s. “, tha Stoltenberg, duke ia kaluar fjalën kryeministrit Rama.

Ky i fundit ishte më i drejtpërdrejtë, duke mos mohuar mundësinë e një përfshirje të Rusisë në atë çfarë po ndodh në rajon.

“Së pari nuk është sekret, që qasja e Rusisë ndaj NATO-s, ndaj BE-s, si dhe ndaj proceseve integruese nuk është një qasje miqësore. Së dyti, dua të nënvizoj se në asnjë vend të NATO-s nuk ka ndodhur çka po ndodh këtu dhe çka disa forca kryesore të opozitës paralajmërojnë dhe do të përpiqen që të ndodhë këtu. Do të ishte një njollë turpi për ne, si një vend i NATO-s. Së treti, patjetër që diçka e tillë nuk shkon në favor të vendit, nuk përputhet me interesat, vlerat, parimet as të NATO-s e as të BE. Si e tillë, me apo padashje çojnë ujë në mullirin e atyre që nuk e duan integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor si në NATO ashtu edhe në BE”, u përgjigj Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA