Teksa opozita jashtëparlamentare pritet të nisë në 19:00 protestën e shtatë kombëtare, ku kërkon largimin e kryeministrit Rama, si dhe moszhvillimin e zgjedhjeve më 30 qershor, kreu i PS, në 18:00 ka nisur fushatën në Lezhë, ku kandidon Pjerin Ndreun.
Por gara pa kundërshtarë, duket se nuk përbën problem për kryeministrin Rama, i cili nga Lezha theksoi se janë në garë me veten.
“Duket si një betejë pa një kundërshtar, por është betejë mes të shkuarës dhe të ardhmes. Është një betejë për të shkuar përpara me ata që duan të na kthejnë mbrapshte, mes nesh që duam një vend demokratik mes nesh dhe atyre që duan pushtet për veten”, u shpreh ai.
Mospjesëmarrjen në zgjedhje të opozitës, Rama e sheh si frikë nga vota e popullit.
“Ata kanë frikë nga zgjedhjet, kanë frikë të vijnë përpara popullit, nga ballafaqimi me ne ndaj dhe përbetohen rrugëve se do na imponojnë një përplasje antidemokratike të dënueshme nga ligjet e këtij vendi. Ata që vendosën të ikin nga zgjedhjet nuk kanë në dorë asgjë tjetër veç ikjes në drejtim të paditur. Drejtimi ynë dhe i vendit dihen”, tha Rama.
Ndërkohë që kandidati për Bashkinë Lezhë, Pjerin Ndreu akuzoi drejtimin e kaluar të kësaj njësie adminsitrative si më të dobtën.
“Kurrë më parë Lezha nuk ka patur pushtet lokal më të dobët se sot, që keqpërdor fondet, kurrë nuk ka pasur kaq pak investime. Ndaj jemi këtu sot, të besëlidhemi për Lezhën. Fitorja jonë është e padikutueshme. Në 30 qershor do betohemi por jo për kishën e Laçit. Ai është një vend ku pastrohet shpirti. Në 30 qershor ne do transformojmë Lezhën. Do matemi me Fierin dhe Tiranën”, u shpreh ai.
Top Channel