Prej tre vitesh qytetarët e Tiranës, por jo vetëm, përdorin aplikacionin ‘Tirana ime’, për të bërë denoncime apo ankesa që lidhen me transportin publik, ndotjen e mjedisit, zhurmat, me qentë endacakë apo edhe për zënien e hapësirave publike.
Aktualisht ky aplikacion, numëron mbi 23 mijë ankesa të qytetarëve të cilat janë të natyrave të ndryshme. Koordinimi i ankesave, bëhet nga dispeçeria qendrore në Bashkinë e Tiranës, nga ku më pas raportimet e qytetarëve iu shpërndahen drejtorive të varësisë për verifikime.
Irma Vuçi, specialiste pranë bashkisë Tiranë, shpjegon hapat që ndiqen nga moment i marrjes së ankesës.
“Menjëherë sapo printohet problematika, nga zyra e Tirana ime, i dërgohet zyrës së sektorit që do ta ndjek problematikën, dhe kontrollorët tanë të cerfitikuar të shërbimit publik, janë me dy turne në terren dhe janë menjëherë të gatshëm mbas marrjes së mesazhit në Ëhatsapp të procedojnë më tej për problematikën. Nëse vihen re shkelje dhe verifikohet ankesa e qytetarit, masat administrative janë të menjëhershme”, shpjegon ajo.
Top Channel ndoqi një rast ankese të një qytetareje të Tiranës, e cila lidhet me vonesën e linjës së urbanit të Uzinës Autotraktor.
Bashkia e Tiranës, për të ndjekur problemin e raportuar në aplikacionin ‘Tirana ime’, nxori në terren kontrollorin e transportit publik, Estref Agalliun, i cili na njohu me procedurën për verifikimin e ankesës.
“Menjëherë ne sapo u njohëm me këtë, erdhëm këtu në stacionin që kalon kjo linjë dhe do bëjmë një matje të frekuencës së kësaj linjë. E kemi filluar në orën 11 sapo u njohëm me ankesën dhe shikojmë që mjeti nga mjeti ka ardhur me distancë 7 minuta, 12 minuta dhe 7 minuta, nga 4 minuta që duhet të jetë mjeti nga mjeti larg, për arsye së kaq e ka frekuencën”, tregon Agalliu.
Në rast se konstatohet që një linjë e transportit publik, nuk respekton oraret e vajtjes në stacionet e urbaneve, parashikohen edhe masa administrative.
“Gjoba është aktualisht 5 mijë lekë të reja dhe kjo gjobë më pas çohet në drejtorinë e këtij operatori ku aty më pas bëhet problem që si ka mundësi që të jenë këto vonesa kaq të mëdha”, sqaron më tej kontrollori i transportit publik.
Qytetarët që përdorin aplikacionin ‘Tirana ime’, kanë mundësi të marrin disa informacione duke nisur që me cilësinë e ajrit, me transportin publik, me të dhëna për turizmin por edhe se cilat janë zonat me trafik më të rënduar.
Top Channel