“Pavarësisht protestave të dhunshme të opozitës, qeveria gjermane vazhdon ta mbështesë çeljen sa më parë të bisedimeve të anëtarësimit për Shqipërinë”, konfirmoi për “Deutsche Welle”-n ministri i Shtetit, Michael Roth.

“Ne duhet t’i mbajmë premtimet tona, – tha ai. – Një vit më parë, në qershor, i dhamë Shqipërisë disa detyra me vete dhe kam përshtypjen se Shqipëria i ka përmbushur këto detyra: reforma ligjore, lufta kundër krimit të organizuar, kontrabandës së drogës, ndërtimi i një administrate moderne. Në këto fusha janë bërë përparime të mëdha. Sigurisht ka ende shumë për të bërë, por jam optimist se, mbi bazën e kritereve të qarta që janë përmbushur mund të bëhet një diskutim pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë”.

I pyetur nëse protestat, që kanë pasur edhe përshkallëzime të dhunshme, do të luajnë ndonjë rol, Roth u përgjigj se kritika është normale në çdo demokraci të gjallë, por dhuna, si mjet i demokracisë apo i politikës është absolutisht e papranueshme.

“Ne jemi shumë të shqetësuar për situatën politike në vend, në Shqipëri, dhe gjithashtu për përgjegjësinë e opozitës për dhunën. Pres që opozita të reagojë drejt në përgjegjësinë e saj për demokraci. Kam përshtypjen se opozita sikur nuk është aspak e interesuar që Shqipëria të anëtarësohet në BE dhe se po ndjek një politikë penguese të papërgjegjshme në kurriz të popullit të Shqipërisë”, ka qene komenti i tij.

“Nëse qytetarët kritikojnë qeverinë e tyre, ose parlamentarët, kjo duhet marrë seriozisht. Askush prej nesh nuk po e zbukuron situatën në Shqipëri. Por, këto shpërthime të dhunës nuk duhet të bëhen normalitet”, ka deklaruar Roth.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA