Ish-deputeti i LSI-së Luana Rama në në një dalje për mediat u ndal te artikulli i gazetës gjermane “Bild” për vendin tonë, ku përmes një artikulli Shqipëria pasqyrohej si vend kaotik nën drejtimin e bandave.

Rama, tha se Shqipëria nuk e meriton të jetë në duar gangsterësh dhe se qytetarët i janë bashkuar opozitës për të larguar të keqen nga qeverisja e vendit.

Deklarata

Në emër të LSI-së dua të sjell në vëmendje të qytetarëve për të bërë çështje të opinionit publik një problem thelbësor dhe prioritar, siç është ai që ka të bëjë me imazhin e Shqipërisë në botë.

Në tiradën e vet të gjatë e të bezdisshme, Kryeministri i Shqipërisë u paraqit në dy pamje që pavarësisht perceptimit ekstremisht në të kundërt, në thelb janë e njëjta gjë. Ai bëri aktorin për t’u paraqitur i shqetësuar për kinse “imazhin e Shqipërisë në botë” nga njërën anë, dhe nga ana tjetër, për t’u paraqitur i qetë që protestat e qytetarëve dhe të opozitës nuk e lëkundin dhe nuk e rrëzojnë qeverinë, por po dëmtojnë imazhin e vendit.

Natyrisht pa thënë shkakun apo arsyen e vetme se përse imazhi i Shqipërisë në botë vjen gjithnjë e më shumë duke u rrënuar!
Nuk janë protestat e qytetarëve, nuk është protesta e opozitës që e prish imazhin e Shqipërisë në botë, sepse imazhin e një vendi në asnjë vend të botës nuk e cenojnë protestat e qytetarëve si një institucion demokratik në një shoqëri demokratike.

Imazhin e një vendi e cënon dhe e përbalt, e nëpërkëmb dhe e rrënon papërgjegjshmëria e qeverisjes, kriminalizmi i qeverisjes dhe qeverisja në shërbim të krimit.

Dhe pikërisht për shkak të këtij faktori themelor edhe një prej gazetave më të mëdha në botë dhe më e madhja e më shitura në Europë, siç është gazeta Bild, thotë shprehimisht se: “Shqipëria është shembulli kryesor i një vendi kaotik në duar gangsterësh.”

Kjo është arsyeja se përse imazhi i Shqipërisë në botë vjen gjithnjë e duke u rrënuar. Shkaku është qeveria e gangsterëve, me kryegangsterin kryeministrin e këtij vendi.

Në papërgjegjmëri të plotë, kur duhet që më shumë se cilido tjetër dhe më shumë se kushdo të reflektojë me përgjegjshmëri për të vënë interesat e vendit mbi ato të klanit kriminal, për të vënë të ardhmen europiane të Shqipërisë mbi të ardhmen e vet dhe të klanit të vet mafioz, të reflektonte duke dhënë dorëheqjen për t’i çelur rrugë zgjidhjes së krizës politike, ai vazhdon me kryeneçësi duke përligjur ato që thotë “Bild-i”.

Por jo vetëm “Bild-i”, këtë e thonë të gjitha agjencitë, këtë e thonë gazetat dhe mediat më prestigjioze e më të mëdha të Europës.

Prandaj qytetarët dhe jo vetëm opozita, por qytetarët e këtij vendi dhe opozita e bërë njësh me ta është në protestë, është në revoltë, është në kontest.

Është dhe do të jetë në luftë të vendosur për ta larguar njëherë e përgjithmonë të keqen nga qeverisja e këtij vendi, për të realizuar më në fund rikthimin e vendit në normalitet përmes një procesi zgjedhor të lirë, të ndershëm, të barabartë, ku qytetarët shqiptarë të jenë të lirë dhe sovranë në të drejtën e tyre për të zgjedhur.

Shqipëria nuk e meriton të jetë në duar gangsterësh!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA