Kryeministri Edi Rama tha se nuk ka nevojë për ndërhyrjen e ndërkombëtarëve që të ulet me Partinë Demokratike për dialog. Ai u shpreh i gatshëm për të folur ballë për ballë me kreun e selisë blu, duke vënë theksin se është i gatshëm për dialog, por jo për negociata që kanë lidhje me zgjedhjet e 30 qershorit. Edhe një herë, zoti Rama, siguroi se zgjedhjet lokale nuk do të shtyhen.
“Nuk kam nevojë as për gjermanë as për amerikanë, as për holandeze, për të ulur dhe për të dialoguar personalisht. E kam thënë dhe e përsëris që dialogu është i patjetërsueshëm, i pazëvendësueshëm në procesin e bashkëjetesës politike në një vend normal dhe në një shoqëri që bazohet në zgjedhjet e saj me votë. E kam kërkuar këtë gjë edhe kur s’ishte kapsolla dhe fishekzjarrët dhe mbase pala tjetër kishte më pak nevojë për dialog, sot pala tjetër ka më shuam nevojë për dialog, sepse shqiptarët nuk ia kanë borxh politikanëve situatën e krijuar
Në leximin tim, miqtë gjermanë kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar; shumë e mirëseardhur, por negociata nuk ka që të jemi të qartë, në kuptimin e një procesi negociatash që lidhen me 30 qershorin .
E kam refuzuar shtyrjen e zgjedhjeve. Nuk shtyhen asnjë ditë sepse Presidenti mes datës 23 dhe 30 ka zgjedhur 30. Pra zgjedhjet e 30 qershorit do të mbahen në 30 qershor dhe në këtë pikë nuk kam asnjë mundësi për të fantazuar, që është Kushtetuta e Shqipërisë. Nga ana tjetër kam nderin që të flas në emër të një shumice që është në Parlament dhe ajo shumicë nuk negocion Kushtetutën dhe të drejtën e vet për një proces zgjedhor.
Do shikoni shumë paketa këto ditë, që prodhohen për t’iu thënë kryetarët e Bashkive që tundimet për tu regjistruar si të pavarur apo si parti tjetër, janë gabim sepse ka një paketë. Paketa që mbajnë me gajret njerëzit dhe që kanë filluar të firojnë sepse aksione opozitare të çfarëdollojti, e zëvendësojnë qeverinë vetëm nëse kulmojnë në fushata të suksesshme, ndërsa marshime opozitare me kapsolla, vetëm firojnë ata që të vijnë mbrapa. Qeverisë nuk i bëjnë asgjë. Qeveria buron nga zgjedhjet dhe votat në Kuvend, qeveria nuk prodhohet me protesta dhe nuk zëvendësohet me dhunë”, tha Rama.
Top Channel