Pas situatës së kriminalitetit në Vlorë, pyetjet e drejtuesit të emisionit “Top Show”, Alban Dudushi u fokusuan te kriminaliteti në Shkodër, një tjetër qytet i tronditur nga raste të shumta kriminaliteti së fundi.
Qyteti i Shkodrës mbetet ende problem, edhe pse është zbardhur vrasja e dy vëllezërve Bilali. Ministri Lleshaj ishte në qytetin verior më 1 prill, por policia nuk ka kapur ende njeriun kryesor të atij rasti kriminal, që është Ibrahim Lici, i cili prej javësh po konsiderohet nga Policia e Shtetit si “njeriu hije”.
Përse po dështon policia në kapjen e tij?
“Kapja është çështje kohe, kapja është një gjë e thjeshtë. Por kapjen e një personi në kërkim e pengojnë disa faktorë. Nga identifikimi dhe vërtetimi i të gjitha rrethanave është një hap shumë i rëndësishëm, pasi varet nga personi në kërkim, mbështetja që ka ai, paratë që zotëron, rrezikshmëria shoqërore, apo edhe shumë aspekte të tjera”, tha Sandër Lleshaj, ministër i Brendshëm.
Ministri Lleshaj foli më tej për ekzekutimet mafioze të kohëve të fundit dhe a janë forcuar pozitat e krimit më shumë se kurrë më parë në vendin tonë?
“Sot nuk është dita më e keqe e policisë, madje mund të them se janë ditët më të mira, edhe pse ka ditë edhe më të mira. Policia shqiptare ka vështirësi sa i përket dokumentimit. Ka vepra që policia e di shumë mirë se kush e ka bërë krimin, por dokumentimi është një sfidë më vete. Kjo nuk do të thotë që policia është e dobët në vetvete”, tha ministri Lleshaj.
Top Channel