Zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari ka deklaruar se ditën e sotme protestuesit kanë ndërmend të përsërisin skenarin e dhunës dhe të përdorin bomba motov.
Lamallari ka kërkuar nga forcat politike që të distancohen nga aktet e dhunës.
Ai tha se po kryer një hetim për të parandaluar çdo tentativë për të ushtruar dhune gjatë protestës së sotme.
“Ministria e Brendshme dënon ashpër sulmet e rrezikshme për jetën e punonjësve të Policisë së Shtetit gjatë tubimit të dhunshëm të 11 majit. Qindra bomba molotov të prodhuara dhe shpërndara sipas një plani kriminal, janë hedhur drejtpërdrejtë, me intensitet të lartë mbi punonjësit e policisë, në krye të detyrës. Veç bombave molotov, mbi forcat e rendit janë hedhur horizontalisht bateri të tëra me fishekzjarrë të ndaluar të kalibrit të lartë, nga një distancë shumë e afërt. Sipas deklaratave mediatike, rezulton se organizatorët e dhunës planifikojnë të përsërisin atë edhe sot. Ata që prodhuan, shpërndanë e përdorën bombat molotov dhe lëndët e tjera të rrezikshme mbi forcat e rendit, në mbrëmjen e 11 majit, do të tentojnë të përsërisin të njëjtat akte dhune edhe në manifestimin e sotëm”, theksoi Lamallari.
“Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve, të distancohen nga këto grupime dhe akte kriminale dhe të bashkëpunojnë me organet e rendit. Policia e Shtetit, në bashkëpunim Prokurorinë dhe Agjencitë e tjera ligj zbatuese janë në ndjekje dhe po hetojnë të gjithë mekanizmin e ideimit, organizimit dhe ekzekutimit të këtyre akteve kriminale. Të gjithë autorët, pa dallim, do të përballen me Forcën e Ligjit.”, shtoi zv/ministri i Brendshëm.
Top Channel