“Kryeministri si institucion nuk është kapiteni i një skuadre me porta të vogla që ndeshet me një skuadër tjetër tek oborri i Kinostudios. Patjetër unë jam problemi, se nuk më mundin dot”.

Kjo ishte përgjigjja e kryeministrit Rama në konferencën për shtyp gati dyorëshe në lidhje me dhunën në protestën e opozitës të shtunën. Rama vlerësoi forcat e policisë.

“Sot, për shkak se e trajtuan incidentin me një nga organizatorët kryesorë të dhunës, më detyron t’iu kujtoj se kjo godinë në vitin 2011 nuk u qëllua me asnjë guriçkë, e jo më me bomba dhe me zjarr. Do të kishte qenë padiskutim perfeksion, i gjithë qëndrimi i policisë në 7 orë sulme, nëse në ato 2-3 sekonda dy punonjës policie nuk do të kishin goditur me shkop gome, dikë që i iku policisë me vrap”, tha Rama.

Në bashkëbisedimin me gazetarët, Rama tha se qeveria nuk rrëzohet.

“Nuk goditet qeveria, jo nga 7 orë, por as nga 7.000 orë bombash molotovi. Goditet vetëm Shqipëria”, deklaroi Rama.

Kryeministri ironizoi edhe presidentin Meta.

“Presidentit të Republikës, në momente protestash unë ia qaj hallin. Mbetem i solidarizuar me presidentin, solidaritet njerëzor, që ai – si çdo njeri i ndodhur në kushtet e tij, – e meriton”, tha Rama.

Duke bërë thirrje për qetësi, kryeministri bëri ftesë për dialog.

“Të dëgjova dje me dhimbje dhe me zë të ngjirur, që thoshe ‘aman ik’. Kujtoje mesazhin që të kam çuar kur i ke hyrë kësaj rruge. Ka kohë, shumë kohë përpara. Po ta përsëris prapë, nuk je vonë ende të kthehesh nga kjo rrugë. Patjetër që unë jam këtu gjithmonë, i gatshëm për dialog”, tha Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA